Moslëshimi i kuponëve në veri dhe qytete tjera, sfidë për ATK-në

Administrata Tatimore e Kosovës pretendon se ka shtrirje në të gjithë territorin e vendit, përfshirë edhe në katër komunat veriore, me qëllim siç thuhet të parandalimit të informalitetit. Megjithatë sfidë për ATK-në mbetet moslëshimi i kuponëve fiskal nga disa biznese si në veri ashtu edhe në qytete tjera të vendit. Gjatë këtyre muajve të parë të këtij viti, ATK ka shqiptuar mbi 500 gjoba ndaj bizneseve për moslëshim të kuponëve fiskal. Sipas ATK-së, vlera e gjobave është rreth 190 mijë euro. Përveç kësaj, ATK ka evidentuar mbi gjashtë mijë punëtorë të pa deklaruar në tregun e Kosovës në vitin 2023.

Drejtues të ATK-së thonë se kanë paraparë masa shtrënguese që shkojnë në funksion të luftimit të informalitetit.

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj thotë se përkundër shumë ndëshkimeve, bizneset vazhdojnë të mos lëshojnë kuponë fiskal. Ndonëse, Murtezaj shprehet se ka rritje të të hyrave tatimore për çdo vit, që sipas tij kjo dëshmon se ka një rënie të informalitetit në përgjithësi.

“ATK-ja sikurse edhe të gjitha institucionet pretendojnë dhe kemi shtrirje në të gjithë territorin e vendit pa dallim të rajoneve. Zyrtarët tonë tatimor kanë shtrirje dhe bëjnë përpjekje ta monitorojnë gjithë ekonominë e vendit, me qëllim që të pamundësohet informaliteti. Vetë fakti i këtyre rritjeve kaq të larta të të hyrave tatimore dëshmon se ka një rënie të informalitetit sepse e dimë që gjatë këtyre viteve s’kemi pasur as rritje të normave tatimore. Po ashtu s’kemi pasur as lloje të reja tatimore, ndërsa rritja e të hyrës ka vazhduar të jetë më shumë se katër herë në raport me rritjen e GDP-së. Kjo dëshmon faktin që kemi rënie të informalitetit”, thotë Murtezaj.

Murtezaj potencon se mos lëshimi i kuponëve fiskal nga biznest nuk është sfidë vetëm në pjesën veriore, por edhe në kryeqytet e vende të tjera.

Ai thekson se me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, përveç gjobave mandatare, parashihen masa ndëshkuese të tjera sipas të cilave, nëse një biznes brenda periudhës vjetore ndëshkohet tri herë për mos lëshim të kuponëve fiskal, i njëjti do të mbyllet për shtatë ditë. Derisa, ndëshkimi mund të shkojë me mbyllje të biznesit deri në 15 ditë.

Por, pavarësisht këtyre masave ndëshkuese, Murtezaj tregon se vetëm gjatë muajit janar dhe shkurt të këtij viti, ATK ka shqiptuar mbi 500 gjoba, në vlerë prej 190 mijë euro, për mos lëshim të kuponëve fiskal.

“Çështja e lëshimit dhe moslëshimit të kuponëve fiskal nuk është një sfidë vetëm në pjesën veriore është edhe këtu në Prishtinë. Vazhdojmë të kemi biznese të cilat përkundër shumë gjobave që marrin ose ndëshkimeve vazhdojnë të mos lëshojnë kuponë fiskal dhe mu për këtë ndryshimet e reja ligjore janë bërë me hyrjen në fuqi të ligjit të ri mbi administrimin e procedurave tatimore nga 28 janari i këtij vitit. Tanimë janë paraparë edhe disa masa shtrënguese që shkojë në funksion të luftimit të informalitetit edhe në këtë fushë, të mos lëshimit fiskal. Përveç gjobave mandatare, tani parashihen edhe në rastet kur një tatimpagues i cili ndëshkohet brenda periudhës vjetore 3 herë në data ose ditë të ndryshme, ligji parasheh që të bëhet një mbyllje e biznesit në peridhë shtatë ditore. Nëse prapë ndëshkohet herën e katërt, e kemi edhe një mbyllje prej 15 ditëve të pikës ose njëjsisë në të cilën konstatohet shkelja…Gjatë këtyre dy muajve janë lëshuar rreth 500 gjobaa deri tash, në kuadër të tyre ka gjoba të cilat janë lëshuar për kuponë fiskal por ka edhe për lloje të tjera shkeljeve”, thekson Murtezaj.

Përveç këtyre, Murtezaj thekson se gjatë vitit 2023, ATK ka evidentuar mbi gjashtë mijë punëtorë të pa deklaruar në tregun e Kosovës, mbi dy mijë më shumë se gjatë vitit 2022.

“Vetëm nga të dhënat e këtyre dy viteve të fundit flasin që vitin 2022 kemi pasur mbi 4 mijë të tillë të identifikuar. Ndërsa vitin e kaluar, 2023-tën kemi mbi 6 mijë e 100 punëtorë të identifikuar të paformalizuar”, potencon ai.

Ndër të tjera, Murtezaj tregon se ATK ka shënuar progres të konsiderueshëm në rritjen e të hyrave vjetore, për çka thotë se në tri vitet e fundit shifrat janë ngritur në një mesatare përreth 20 për qind.

Ai thotë se vetëm gjatë këtyre dy muajve, janar-shkurt, janë mbledhur mbi 172 milionë euro, derisa shton se këto të arritura janë si rezultat i luftimit të informalitetit duke krijuar sistem të tillë i cili zvogëlon mundësitë e informalitetit ose shmangies tatimore.

Të ardhurat nga tatimet janë burimi kryesor i mbledhjes së të hyrave publike me të cilat shteti i plotëson të dalat financiare publike./kp

Back to top button