Mospërfshirja e veteranëve në projektligjin për pagën minimale, PDK bojkoton seancën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një konferencë për media në Kuvendin e Kosovës ka njoftuar që Grupi Parlamentar i PDK-së nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit, për shkak të mospërfshirjes së veteranëve të UÇK-së në projektligjin për pagën minimale.
Krasniqi tha se injorimi i veteranëve nga Qeveria Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje është turp i madh, pjesë e të cilit Partia Demokratike e Kosovës nuk do të bëhet kurrë dhe do ta kundërshtoj fuqishëm.
“Propozimet tona kanë qenë që paga minimale të jetë në nivelin e tillë, që të mundësojë mbulimin e nevojave elementare për punëtorët dhe familjet e tyre, gjë që nuk është as për së afërmi e kënaqshme me propozimin e qeverisë që e ka sjellë me projektligjin aktual e që është sot në rend të ditës. Por në vend se të fokusoheshim për të shqyrtuar mundësitë dhe për të ndërtuar një politikë të mirëfilltë që përmes përcaktimit të pagës minimale të arriheshin disa objektiva sociale, qeveria e ka devijuar komplet debatin duke vendosur njëanshëm dhe në mënyrë të turpshme, që të përjashtojë kategoritë e veteranëve të UÇK-së nga ky ripërcaktim i pagës minimale.”, tha Krasniqi.
Lideri i PDK-së ia kujtoi Qeverisë Kurti se veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë më meritorët për lirinë tonë.
Krasniqi duke e konsideruar këtë sjellje të papërgjegjshme karshi veteranëve si absurde dhe të pafalshme, u bëri thirrje qeverisë që ta kthejë prapa këtë projektligj dhe mos ta procedojë tutje për miratim./21Media

Back to top button