Mot i nxehtë, temperaturat do të shkojnë deri në 33 gradë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se këtë javë temperaturat do të shkojnë deri në 33 gradë Celsius.

Sipas IHMK-së, të enjten dhe të premten, deri në 33 gradë pritet të shkojnë temperaturat maksimale në Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjakovë, Istog, Junik, Ferizaj, Gjilan, Kamenicë, Besianë, Mitrovicë e në Malishevë.

Ndërsa, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-15 gradë Celsius. IHMK-ja bëri thirrje që qytetarët të kenë kujdes në periudhën 11-17, që të mos jenë në kontakt me rrezet e diellit, sidomos moshat e shtyra dhe personat me probleme kronike.

“Të kujtojmë se të mërkurën do të fillojë stina e verës astronomike në orën 16:57 min dhe do të zgjasë deri me 23 shtator në orën 8:49 min. Po në këtë ditë, 21.06.2023 do të ndodhë solstici veror, ku do të jetë dita më e gjatë e vitit dhe nata më e shkurtër”, thuhet në njoftimin e IHMK-së./21Media

Back to top button