MPJ-ja thirrje bashkatdhetarëve: Shfrytëzoni vendkalimet tjera, grupet kriminale serbe bllokuan Merdaren

Pas bllokimit të pikës kufitare në Merdarë, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve dhe qytetarëve që janë në lëvizje të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Grupet kriminale serbe kanë bllokuar pikën kufitare në #Merdarë.Njoftohen të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës.Nëse keni hyrë tashmë në Serbi, atëherë ju lutemi t’i përdorni pikat kufitare ne Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të merrni rrugë përmes Maqedonisë së Veriut (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit.”, thuhet në njoftim
Po ashtu kjo ministri bën thirrje që qytetarëve që të mos bien pre e lajmeve të rreme.
“Duke marrë parasysh faktin që janë në qarkullim shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës, ju lutemi të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim.”, përfundon njoftimi.
Pika kufitare në Merdare është mbyllur për qarkullim të martën në mbrëmje, për shkak të barrikadave që serbët kanë vendosur në pjesën e Serbisë./21Media

Back to top button