Mugaju: Investimi në gjeneratën e re, prosperon shtetin e Kosovës

”Investimi në kapitalin njerëzor është investimi më i mirë dhe zgjedhja politike më e zgjuar”

Sot në Prishtinë u mbajtë tryeza për dividentën demografike të Kosovës, hulumtim i realizuar nga UNICEF-i. Me këtë rast, kryeparlamentari Veseli tha se ky raport argumenton konkretisht atë që njihet si fakt themelor, se Kosova ka një popullsi në të cilën dominojnë grup-moshat e reja.

“Sfida themelore me të cilën përballet Kosova sot është gjetja e rrugëve që potenciali i madh i popullsisë së re që ka, të transferohet në zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë ekonomik të vendit”, tha Veseli.

Kryetari i Kuvendit tha se sektori publik as nuk duhet e as nuk mundet ta zëvendësojë sektorin privat, duke vlerësuar se rritja ekonomike, që gjeneron punësim të qëndrueshëm, mund të vijë vetëm nga sektori privat. Kjo, sipas tij, duhet bërë duke zhvilluar një ambient atraktiv për të gjithë ata që duan të investojnë kapitalin dhe idetë e tyre inovative në Kosovë.

Ai tha se ekziston një hendek të madh në mes të sistemit aktual të edukimit dhe nevojave të tregut. Një faktor vendimtar në këtë drejtim, kryetari i Kuvendit e konsideroi edhe heqjen e të gjitha barrierave që pengojnë përfshirjen e grave në jetën publike dhe atë biznesore.

Ndërsa, zëvendësshefi i UNICEF-it në Kosovë, James Mugaju, gjatë prezantimit të raportit tha se investimi në gjeneratën e re prosperon shtetin e Kosovës.

“Duke investuar në fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë, investoni në prosperitetin e një vendi. Investimi në kapitalin njerëzor është investimi më i mirë dhe zgjedhja politike më e zgjuar. Në Kosovë, një nga prioritetet e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2021-2021 është investimi në kapitalin njerëzor apo fuqinë punëtore”, tha Mugaju.

Back to top button