Muharremaj për RTV21 thotë se e synon një Suharekë të gjelbër

Gati pesë muaj pas fitores, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ende nuk ka filluar ndonjë projekt të ri, mbase siç ka thënë është në pritje të buxhetit nga niveli qendror.
Muharremaj në një intervistë për portalin rtv21.tv ka zbuluar se synon një Suharekë të gjelbër.
“Aktualisht po e presim buxhetin nga niveli qëndror, për të proceduar më tutje me projektet në vazhdim. Ndërkohë ne jemi veq në fazën fillestare të disa projekteve”, ka thënë Muharremaj për rtv21.tv.
Ndërsa, ka theksuar se po përgatitën që në fazën e parë të këtij viti të vazhdojnë me ndërtimin e infrastrukturës rrugore, sipas planit të miratuar nga Asambleja Komunale, si në zonën urbane e po ashtu edhe atë rurale. “Ndërkohë ne po vazhdojmë me mirëmbajtjen dhe ruajtjen e ambientit”, ka theksuar kryetari.
I pari i Suharekës për rtv21.tv i ka përmendur disa projekt të cilat po i konsideron si më të rëndësishme që do të realizohen brenda këtyre katër vjetëve.
“Projekti i 4 unazave thuajse është në përfundim. Pastaj vazhdimi i Sheshit të Qytetit, Mbikalimit të shtigjeve të ecjes, Themelimi i Ndërrmarrjes Komunale dhe shumë projekte tjera me rëndësi”, ka thënë ai.
I pyetur se çka do të ndryshojë/investojë në Suharekë, diçka që Suhareka nuk e ka pasë asnjëherë, Muharremaj është përgjigjur se synon që komuna e tij të jetë e para për nga pastërtia.
“Një prej synimeve kryesore krahas zhvillmit ekonomik është komuna e pastër nga mbeturinat dhe komuna me më së shumti zona gjelbëruse. Pra synojmë të jemi të parët në këtë aspekt”, ka thënë kryetari Muharremaj.
E realizimi i projeketeve kërkon buxhet, Komuna e Suharekës ka një buxhet prej 5 milionë eurosh për investime kapitale, mirëpo kryetari i kësaj komune ka theksuar se nuk është i mjaftueshëm.
“Buxheti komunal për investime kapitale është rreth 5 milion euro, mirëpo natyrisht ky nuk është i mjaftueshem andaj ne fokusohemi edhe në ndihmë nga Qeveria e Kosovës dhe donacionet e ndryshme”, ka thënë Muharremaj.
Sa i përket rasteve sociale në Suharekë, Muharremaj ka thënë për rtv21.tv se ka pak raste që kërkojnë strehim.
“Ne kemi bërë përpjekje që sa më shumë ta zvogëlojmë numërin e rasteve sociale, megjithëse ne kemi punuar shumë me organizata të shumta, biznese e sidomos me Shoqatën “Jetimat e Ballkanit” dhe tani kemi thuajse shumë pak raste të cilat kërkojnë strehim”, ka thënë kryetari.
E planet për shëndetësinë dhe arsimin thuhet se janë të shumta që po presin të implementohen.
“Janë projekte të shumta të cilat presin të implementohet e që do ta përmirsonte situaten në këto dy sektor. Në arsim synohet për cilësi dhe mbështetje të ideve dhe projekteve që e realizojnë këtë. Përmes disa projekteve në shëndetësi synojmë të jemi me shërbimeve sa më të mira pranë qytetarëve”, ka thënë Bali Muharremaj.
Muharremaj fitoi edhe një mandat si kryetar i Komunës së Suharekës pa balotazh në zgjedhjet lokale të vitit 2021./21Media

Back to top button