Mungesa e jodit rishfaqet si problem shëndetësor
![](https://i0.wp.com/rtv21.tv/wp-content/uploads/2025/01/716acab2-02c5-47c9-ae97-16e26f7ad1e6.webp?resize=780%2C470&ssl=1)
Mjekët në SHBA mbetën të hutuar kur një djalë 13-vjeçar shkoi në klinikë me qafë të ënjtur.
Testimet e para përjashtuan dyshimin e tyre të parë, por testet e mëvonshme treguan se djali kishte mungesë të jodit në organizëm, ka shkruar agjencia e lajmeve Associated Press.
Një shekull më parë, mungesa e jodit ndodhte te fëmijët në pjesë të mëdha të vendit. Ajo u zhduk pas shtimit të jodit në kripën e ushqimit, bukën dhe disa ushqime të tjera, në një nga historitë më të suksesshme të shëndetit publik të shekullit të 20-të.
Por sot, njerëzit po marrin më pak jod për shkak të ndryshimeve në dietë dhe atyre në prodhimin e ushqimeve. Ndërkohë që shumica e njerëzve po marrin ende mjaftueshëm, studiuesit kanë raportuar gjithnjë e më shumë nivele të ulëta jodi te gratë shtatzëna dhe individët e tjerë, duke ngritur shqetësime për ndikimin që kjo mund të ketë te foshnjat e tyre. Po ashtu, ka një numër të vogël, por në rritje, që raportojnë për mungesë jodi te fëmijët.
“Kjo duhet të jetë në vëmendjen e njerëzve”, ka thënë doktoresha Monica Serrano-Gonzalez, nga Universiteti Brown, e cila trajtoi djalin në vitin 2021 në Providence, Rhode Island.
Çfarë është jodi?
Jodi është element, i cili gjendet në ujërat e detit dhe disa toka, kryesisht në zonat bregdetare. Një kimist francez e zbuloi atë rastësisht në vitin 1811, kur një eksperiment me alga deti krijoi një tym ngjyrë vjollce. Emri i jodit vjen nga një fjalë greke që do të thotë “ngjyrë vjollce”.
Më vonë gjatë atij shekulli, shkencëtarët kuptuan se njerëzit kanë nevojë për sasi të caktuara jodi për të rregulluar metabolizmin dhe për të mbajtur shëndetin e mire, dhe se ai është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e funksionit të trurit te fëmijët.
Një shenjë e mjaftueshme e mungesës së jodit është ënjtja e qafës, e njohur si “goiter”.
Gjëndra tiroide në qafë përdor jodin për të prodhuar hormone që rregullojnë ritmin e zemrës dhe funksione të tjera trupore. Kur ka mungesë jodi, gjëndra tiroide zgjerohet në përpjekje për të kompensuar mungesën e tij.
Në fillim të shekullit 20, ënjtja e qafës ishte shumë e zakonshëm te fëmijët në disa pjesë të brendshme të Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në një zonën që shtrihej nga Appalachian dhe Liqenet e Mëdha deri në perëndim të Shteteve të Bashkuara. Disa nga fëmijët ishin jashtëzakonisht të shkurtër, të shurdhër, ngecje në zhvillim dhe kishin simptoma të tjera të një sindromi që dikur njihej si “cretinism”.
Shtimi i jodit në kripë
Ekspertët e shëndetit publik kuptuan se nuk mund ta zgjidhnin problemin duke i ushqyer të gjithë me alga deti dhe ushqime deti, por mësuan se jodi mund të spërkatej në kripën e ushqimit.
Kripa e jodizuar u bë e disponueshme për herë të parë në vitin 1924. Deri në vitet 1950, më shumë se 70% e familjeve amerikane përdornin kripë të jodizuar. Edhe buka dhe disa ushqime të tjera u përforcuan me jod, dhe mungesa e jodit u bë e rrallë.
Por dietat ndryshuan. Ushqimet e përpunuara tani përbëjnë një pjesë të madhe të dietës amerikane, dhe ndonëse ato përmbajnë shumë kripë, ajo nuk është e jodizuar.
Markat kryesore të bukës nuk shtojnë më jod. Në rastin e djalit 13-vjeçar, ai kishte autizëm të lehtë dhe hante vetëm disa gjëra të caktuara që i pëlqenin, kryesisht vetëm marka të caktuara të bukës dhe gjalpë kikiriku.
Për ata që i hedhin ushqimit më shumë kripë, moda e tanishme është përdorimi i kripës kosher, kripës se Himalajave ose produkteve të tjera jo të jodizuara.
“Njerëzit kanë harruar pse ka jod në kripë”, ka thënë doktoresha Elizabeth Pearce nga Boston Medical Center. Ajo është udhëheqëse në Rrjetin Global të Jodit, një agjenci joqeveritare që punon për të eliminuar çrregullimet e mungesës së jodit.
Ajo ka theksuar se ka rënie prej 50% të niveleve të jodit në Shtetet e Bashkuara në mesin e amerikanëve të anketuar mes viteve 1970 dhe 1990.
Sa jod është i mjaftueshëm?
Ndërkohë që konsumimi i jodit po bie gjithnjë e më shumë, shumica e amerikanëve ende po marrin mjaftueshëm përmes dietës së tyre, thonë ekspertët. Megjithatë, mjekët janë të shqetësuar se ky nuk është rasti për gratë shtatzëna dhe fëmijët, të cilët ndikohen më shumë nga mungesa e jodit.
Akademia Amerikane e Pediatrisë dhe shoqata të tjera mjekësore rekomandojnë që të gjitha gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë me gji të marrin 150 mikrogramë jod çdo ditë. Kjo mund të merret nga gjysmë deri në tre të katërtat e një lugë çaji kripë të jodizuar.
Në rreth 15 vjetët e fundit, studiuesit amerikanë kanë raportuar gjithnjë e më shumë raste të mungesës së jodit te gratë shtatzëna. Një studim nga Universiteti i Michigant, për rreth 460 gra shtatzëna në qytetin e Lansing, zbuloi se rreth një e katërta e tyre nuk po merrnin mjaftueshëm jod.