Mungesa e ligjit për transplantim të organeve po i kushton shtetit
Transplantimet e organeve nuk mund të bëhen në Kosovë për shkak të mungesës së ligjit. Andaj, pacientët që kanë nevojë për transplantime, duhet të udhëtojnë jashtë vendit. E mungesa e këtij Ligji po i kushton pacientëve, por edhe shtetit të Kosovës.
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore (FSSh) për portalin rtv21.tv ka bërë të ditur se vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2022, janë aprovuar 9 raste për transplantim të organeve dhe kostoja financiare e këtyre rasteve është 125 mijë e 930 euro.
Ndërsa, në pesë vjetët e fundit FSSh ka shpenzuar mbi 1 milion e 300 mijë euro për 78 pacientë.
“Në kuadër të programit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJISHP), për transplantim të organeve në Kosovë, në pesë vitet e fundit (2017-2021), kanë kërkuar mbështetje financiare rreth shtatëdhjetë e tetë (78) pacient. Kosto financiare për këta pacient, të cilët kanë kërkuar mbështetje financiare nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, në kuadër të programit për TMJISHP, për transplantim të organeve, në pesë vitet e fundit ka arritur rreth 1,317,000.00€”, ka thënë FSSh për rtv21.tv.
Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë për portalin rtv21.tv ka thënë se po planifikon që ta fus në programin legjislativ “sa më parë që ka mundësi”, por nuk ka dhënë ndonjë datë të caktuar.
“Në Kosovë ka Ligj për transplantim të indeve dhe qelizave, ndërsa sa i përket Ligjit për transplantim të orgnave, Ministria planifikon që ketë ta fus në programin e saj legjislativ sa më parë që ka mundësi, me qëllim që të punohet njëkohesisht në hartimin e ligjit dhe ngritjen e kapaciteteve spitalore, që një shërbim i tillë të mund të kryhet praktikisht edhe në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë./21Media