Murati e quan të pasaktë raportin e GAP-it: Kemi shpenzuar 38% buxhetin për investime

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati e ka kundërshtuar raportin e Institutit GAP të publikuar ditë më parë, ku thuhet se ministria të cilin e udhëheq ai, ka realizuar vetëm 2 për qind të buxhetit për investimet kapitale për vitin 2022.

Ministri Murati theksoi se Ministria e Financave në tërësi buxhetin e ka shfrytëzuar 88 për qind, kurse atë për investime kapitalet 38 për qind.

Madje, Murati fajëson edhe mediat për publikimin e raportit të GAP-it para verifikimit të raporteve zyrtare të Ministrisë së Financave.

“Është e pasaktë ajo statistikë, sepse Ministria e Financave së pari nuk është se ka shumë investime kapitale, por ja që ka pasaktësi në raportime të tilla. Ministria e Financave buxhetin në tërësi e ka shfrytëzuar 88 për qind realizim, kurse kapitalet janë 38 për qind, kjo është në raportin vjetor të financave që ka qenë i publikuar, është publik. Dhe do të ju ftoja juve, mediave sidomos, që para se të publikoni informata të tilla që janë të pasakta t’i shqyrtoni dhe t’i verifikoni raportet e tilla”, tha Murati.

Në raportin e GAP-it të publikuar ditë më parë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve vetëm 2 për qind ka realizuar buxhetin për investimet kapitale për vitin 2022.

Në kuadër të këtij raporti, realizim të ulët të buxhetit për investimet kapitale ka edhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me vetëm 16 për qind, dhe Ministria e Ekonomisë 38 për qind.

Ndërkaq, drejtues të këtyre ministrive nuk kanë komentuar raportin në fjalë.

Sipas raportit të GAP-it, ministritë që kanë realizuar më së shumti buxhetin për investime kapitale, janë Ministria për Kthim dhe Komunitete e cila ka realizuar 98 për qind. Dhe Ministria e Mbrojtjes ka ealizuar 96 për qind të buxhetit për investime kapitale./kp

Back to top button