Murati: Kemi hapësirat e nevojshme buxhetore për subvencionimin e 75 milionë eurove për energjinë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, sot deklaroi se Qeveria ka hapësirat e nevojshme buxhetore për subvencionimin e 75 milionë eurove të energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset.
Në një konferencë për medie, pas mbledhjes së qeverisë, ministri Murati tha se në hartimin e buxhetit për vitin 2022 kanë paraparë se mund të gjenden në një situatë krize dhe nevoje për mbështetje ndaj qytetarëve dhe bizneseve.
“Shuma prej 75 milionë euro siç e kam sqaruar edhe në Kuvend është zotim i qeverisë në mënyrë që të mbështes qytetarët që të kenë sa më të përballueshëm tejkalimin e krizës globale energjetike që ka kapluar jo vetëm shtetin tonë, por gjitha vendet. Sa i përket gjetjes së fondeve ne jemi përkujdesur si qeveri që gjatë hartimit të buxhetit për vitin 2022, të kemi hapësirat e nevojshme, fleksibilitetin e nevojshme, marrë parasysh situatën me pandeminë. Ne çdo herë kemi paraparë se mund të gjendemi në një situatë të jashtëzakonshme në mënyrë që të kemi edhe në raport me pandeminë dhe mbështetjen për qytetarët dhe bizneset. Këtë rast do të jetë prapë mbështetje por në formë tjetër. Sa i përket ndarjes buxhetore nuk do të kemi problem sepse kjo normalisht është një barrë shtesë edhe për buxhetin”, tha ai.
I pyetur lidhur me deklarimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë se ngritja e çmimit të rrymës nuk do prek pjesën veriore të vendit, Murati tha se janë duke punuar për t’i zgjidhur problemet e kaluara 20 vjeçare.
“Jemi duke punuar që problemet e tilla që i kemi trashëguar nga 20 vitet e kaluara dhe nuk kanë gjetur zgjidhje, por janë zmadhuar si problemi, do të mundohemi si qeveri që t’i zgjidhim në afatin sa më të shkurtër”, përfundoi ai.

Back to top button