Kosova me doganë në Durrës, marrëveshja miratohet edhe në Shqipëri

Pas Qeverisë së Kosovës, edhe Këshilli i Ministrave të Shqipërisë në mbledhjen e sotme miratoi marrëveshjen me Kosovën për lehtësim të procedurave doganore që parasheh edhe hapjen e pikës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi pas mbledhjes se kjo marrëveshje do të lehtësojë tregtinë mes të dy vendeve.
“Miratuam projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Kosovën sa i përket zbatimit të lehtësirave të ndërsjella reciproke në procedurat doganore, si dhe kontrollit të hyrjes dhe daljes së mallrave. Kjo marrëveshje është nënshkruar gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në nëntor dhe tashmë marrëveshja shkon në parlament. Kjo marrëveshje do të lehtësojë tregtinë ndërmjet dy vendeve tona, duka njohur të gjitha licencat e të gjitha agjencive doganore që ndodhen në kufij, duke unifikuar kontrollet doganore të dy vendeve, duke ulur kohën e kontrollit doganor me qëllim lehtësimin e tregtisë së dy vendeve”, tha Ibrahimaj.
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave u shpreh se marrëveshja parashikon edhe hapjen e pikës doganore të Kosovës në Durrës si dhe i jep hapësirë hapjes së pikave të tjera doganore të Kosovës në Republikën e Shqipërisë.
“Marrëveshja parashikon çeljen e pikës doganore të Kosovës e cila është folur ndër vite dhe ka qenë një synim ndër vite i të dy qeverive tona në Portin e Durrësit dhe të gjitha lehtësirave që kjo pikë do të sjellë, por edhe njeh disa protokolle të cilat mund t’i hapin rrugën të tjera pikave doganore të Kosovës në Republikën e Shqipërisë”, deklaroi Ibrahimaj.
Në të njëjtën ditë, por qindra kilometra larg vendit ku po mbahej mbledhja e Qeverisë Shqiptare, edhe Qeveria e Kosovës miratoi ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për zbatimin e lehtësirave doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave; dhe projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për sigurime shoqërore në mes të dy vendeve.

Back to top button