Murati: LDK sapo bëri histori në Kuvend!

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se LDK-ja ka bërë histori në Kuvend, duke rrëzuar, marrëveshjen financiare ndërkombëtare për reformimin e skemës sociale.
Murati përmes një shkrimi në llogarinë e tij “Facebook”, ka thënë se nga kjo marrëveshje do të përfitonin dhjetëra-mijera familje.
“LDK sapo bëri histori në Kuvend! Është hera e parë që një marrëveshje financiare ndërkombëtare rrëzohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në të kaluarën, ka pasur raste kur marrëveshjet ndërkombëtare nuk kanë kaluar duke mos marrë kuorumin e nevojshëm prej 80 votave, gjë që ka nënkuptuar se janë shtyrë për seancën e radhës, por asnjëherë nuk ka ndodhur që ato të rrëzohen kështu si bëri LDK sot. Por ja që LDK votoi kundër, dhe e rrëzoi. Marrëveshja e nënshkruar me Bankën Botërore kishte për synim reformimin e skemës së ndihmës sociale për të targetuar sa më mirë dhe përfshirë familjet në nevojë, që është aq e nevojshme sidomos në këto kohë”, ka shkruar Murati.
Me vetëm 75 vota për, Kuvendi i Kosovës dështoi të miratoi marrëveshjen ndërkombëtare për projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në vend. E njëjta u konsiderua e nevojshme nga Qeveria Kurti dhe u përkrah edhe nga dy partitë opozitare, PDK dhe AAK, mirëpo u kundërshtua nga LDK-ja./21Media

Back to top button