Murati tregon kur do të prezantohet pako e rimëkëmbjes

 
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se shumica e të hyrave shtesë në buxhetit të shtetit, do të shtohen në pakon e rimëkëmbjes ekonomike, që sipas tij do të prezantohet në ditët në vijim. Në një konferencë për media, pas mbledhjes së qeverisë në të cilën u miratua rishikimi i buxhetit me 155 milionë euro të hyra shtesë, Murati tha se së shpejti do të bëjnë publike edhe masat specifike të pakos së rimëkëmbjes.
Ai tha se pako e rimëkëmbjes do të ndihmojë bizneset, të punësuarit e rinj, ata që e kanë humbur vendin e punës në pandemi dhe kategori të tjera.
“Shumën e pakos do ta prezantojmë ditëve në vazhdim, edhe shumën edhe masat specifike por mund të them që prej shtesës prej 155 milionë euro që janë të hyra shtesë pra shumica prej tyre do të shtohet në pakon e rimëkëmbjes edhe projekteve infrastrukturore se përveç ndikimit direkt dhe ndërhyrjes direkte financiare do të kemi edhe rimëkëmbje të infrastrukturës, edhe rimëkëmbjen e ambientit edhe rimëkëmbjen e sigurisë publike, pra gjitha fushat do ta përjetojnë rimëkëmbjen e vendit”, ka thënë Murati.
Ai tha që synojnë rindërtimin e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të punës në mënyrë të qëndrueshme.
Ndërsa ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se sa i përket kontratës për markimin e derivateve, këtë çështje e kanë adresuar dy muaj më parë në polici dhe prokurori.
Ministrja Hajdari po ashtu pret që Kosova nuk do të përballet me Arbitrazh nëse arrihet të shkëputet kjo kontratë, të cilën sipas saj e ka nënshkruar ish-ministri Vesel Krasniqi.
Me projektligjin e miratuar sot për naftë, ministrja ka deklaruar se nuk është paraparë markimi i derivateve.
“Është e vërtet që ne kemi trashuar një Udhëzim administrativ që është draftuar në mënyrë jashtë ligjshme dhe është aprovuar nga ish-ministri Veseli, dhe i cili ka pasur thirrje nga ish-kryeministri Hoti që ta anuloj këtë udhëzim, por për këtë ai ka vazhduar me një nënshkrim të një kontrate për markimin e derivateve. Markimi dhe monitorimi i naftës nuk ka qenë me ligj i paraparë dhe nuk është as në ligjin e tanishëm”, ka thëne Hajdari.

Back to top button