Murati tregon se kur pritet të shpërndahen shtesat nga 100 euro
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka prezantuar masat e reja të pakos së mbështetjes për qytetarët, ku në kuadër të këtyre masave u dyfishua vlera e asistencës sociale për muajin prill, ndërkohë me nga 100 euro do të mbështeten pensionistët, punëtorët e sektorit publik dhe privat si dhe studentët.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se 100 euroshi për pensionistët pritet të shpërndahet në fund të kësaj jave ndërsa për punëtorët e sektorit publik në fund të muajit.
“Në radhë të parë do të jenë pensionistët, ata do ta marrin këtë shtesë me pensionin e radhës që do të jetë në fund të kësaj jave, ndërsa punëtorët e sektorit publik do ta marrin në fund të muajit si dhe për skemat sociale do ta marrin me afatin e rregullt. Gjatë ditëve në vijim do të hapet procesi i aplikimit për punëtorët e sektorit privat dhe studentet sepse duhet t’i marrim të dhënat nga ta. Për t’u përmbushur e tërë pakoja e mbështetjes, na duhet që t’i kemi edhe disa ndryshime ligjore, është marrëveshja me Bankën Botërore për zgjerimin e skemës sociale, është Ligji për pagën minimale dhe Ligji për rishikimin e Buxhetit që na mundëson që t’i kemi këto mjete shtesë, për këtë mbështetje shtesë në kuadër të pagës. Ligji për pagën minimale, përveç që rrit pagën, ofron edhe rritje të pagës neto për të gjithë punonjësi”, ka thënë ai.
Po ashtu ministri Murati i ka bërë thirrje sektorit privat që të shqyrtojnë mundësinë e rritjes së pagave për punëtorët e tyre, ndërkohë që qytetarëve u ka bërë thirrje që të blejnë produkte vendore në mënyrë që të ketë rritje ekonomike./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?