Haxhiu mburret me masat e reja në kuadër të pakos së mbështetjes për qytetarët
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas masave të reja në kuadër të pakos së mbështetjes për qytetarët.
Haxhiu, në një postim në Facebook ka cituar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti “nuk jemi as afër zgjedhjeve parlamentare dhe as atyre lokale por jemi gjithnjë afër qytetarëve”.
“100 milionë euro mbështetje për qytetarët, dyfishim i asistencës sociale për muajin prill, 100 euro shtesë për të gjithë pensionmarrësit për muajin prill – pension bazik, pension kontributpagues, pension për aftësi të kufizuar, pension të veteranit, 100 euro për 300 mijë punëtorët e sektorit privat, 100 euro për 80 mijë punëtorët e sektorit publik, 100 euro për 80 mijë studentët, 40 mijë pakove ushqimore për familjet në nevojë, rreth 800 mijë qytetarë përfitues – çdo familje e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Lidhur me masat e reja në kuadër të pakos së mbështetjes për masat, Ministri i Financave Hekuran Murati, mohoi se po planifikohet ndryshimi i Politikave Tatimore.
Në një konferencë Murati tha se Koncept-dokumenti i publikuar në media mbrëmë, ka qenë i publikuar për konsultime publike dhe ka qenë i përgatitur nga stafi civil, por më pas tha se ka kërkuar që të tërhiqet pasi i njëjti, sipas tij, nuk e përfaqëson programin e tyre qeverisës./21Media