Murati: Zaten, nuk ka mundur të ketë shtet të kapur, pa disa sindikata fort të kapura

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se paralajmërimi i grevave që më shumë kanë synime politike sesa që brengosen për realizimin e të drejtave të personelit shëndetësor, nuk shpien askund.
Ai ka theksuar se greva e paralajmëruar për nesër nga FSSHK, nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon mbajtjen e grevave, saktësisht nenet 6, 7 dhe 15 të ligjit për grevat.
Sipas ministrit, me qasje të tillë, humbin pacientët edhe personeli shëndetësor, kurse ata që paralajmërojnë greva nuk humbin.
“Përkundrazi, në 5 vitet e fundit FSSHK ka pranuar mbi 3 milionë euro në emër të kontributeve që u janë ndalur nga paga personelit shëndetësor dhe u janë transferuar FSSHK-së. Dyshoj se ndonjëherë personeli shëndetësor janë njoftuar se ku kanë shkuar këto para. Dhe krahas përfitimeve financiare, ata shtyjnë përpara edhe axhenda politike siç kishin bërë në vazhdimësi me partitë e pushteteve të kaluara kur në kohë fushate nënshkruanin “marrëveshje” të cilat kurrë nuk i zbatuan. Zaten, nuk ka mundur të ketë shtet të kapur, pa disa sindikata fort të kapura”, ka shkruar ministri në Facebook./21Media

Back to top button