Musliu shkon në shtëpinë e familjes Thaçi: Te Endriti krenaria është më e madhe se mungesa fizike e babait
Për nder të Pavarësisë së Kosovës, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka vizituar sot familjen e ish-presidentit Hashim Thaçi.
Musliu në Facebook ka postuar një fotografi me Endritin, djalin e Thaçit.
Deputetja ka shkruar se te Endriti krenaria është më e madhe se mungesa fizike e babait.
“Historia nuk rishkruhet! Për nder të festës më të madhe të shqiptarëve, festës së Pavarësisë së Kosovës, sot vizitova familjen e Presidentit, liderit të proceseve më të vështira historike, liderit të UÇK-së dhe themeluesit të PDK-së Hashim Thaçi. Në këtë ditë të madhe, te Endriti krenaria është më e madhe se mungesa fizike e babait. Liria ka emër, por edhe pavarësi gjithashtu mbanë emrin #HashimThaçi#UÇK”, ka shkruar Musliu në Facebook.

Disa nga liderët politikë që gjenden në paraburgim në Hagë, ishin pjesë e shpalljes së saj më 17 shkurt 2008. Por, edhe sivjet Hashim Thaçi së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Salih Mustafën dhe krerët e organizatës së OVL-UÇK-së, Hysni Gucatin e Nasim Haradinaj kjo festë po i gjen larg vendit dhe familjes. Ky është viti i dytë që Thaçi dhe të tjerët e festojnë ditën e Pavarësisë në Hagë.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.