Musliu – Sveçlës: Ministri s’e ka detyrë të shpërndajë bukë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka kritikuar veprimin e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, që kaloi një darkë me policët në Bërnjak, me ushqim të përgatitur nga një biznes në Prishtinë.
Në një postim në Facebook Musliu ka thënë se Sveçla po i rrezikon policët,
“Tregoni dikush Sveçlës që nuk është punë e Ministrit me shku me shpërnda bukë. Ai po i rrezikon edhe policinë duke shku me ba ‘sevapë’ me policë për një grusht vota. Mos ban filma, merr vendime!” ka shkruar Musliu teksa e ka quajtur Sveçlën dhe kryeministrin Albin Kurti “dështakë e shkatërrues të institucioneve”.
“Në njërën anë krenohen që kanë miratuar buxhetin ma të lartë për siguri, në anën tjetër sigurinë e vendit e trajton përmes rrugëve të bamirësisë. Xhelal Sveçla, Ministër i Brendshëm i Qeverisë së Albin Kurtit për turpin e tij e tonin si shtet, po mburret që ushqimin për policinë në Veri po e siguron përmes rrugës së bamirësisë. O dështakë, o shkatërrues të institucioneve, policinë e këtij vendi trajtojeni me dinjitet, siguroni paga, ushqim, armatim e veshmbathje. Zgjidheni drejtorin e policisë e mos na tregoni se sa bujarë e fisnikë janë shqiptarët sepse e dimë sikurse e dimë që ti dhe shefi yt nuk keni as plan e as vullnet për ta qeverisur këtë vend”, ka shkruar Musliu./21Media

Back to top button