Mustafa: Çfarë po ndodhë me dhe në veriun e vendit, a di kush

Mustafa me një varg pyetjesh për institucionet e Kosovës

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa kohëve të fundit është bërë shumë aktiv në rrjetet sociale, kështu duke publikuar shqetësimet e tij. Mustafa sot ka paraqitu shqetësimet për veriun e Kosovës, duke pyetur se çfarë po ndodhë me të?

“Çfarë po ndodhë me dhe në veriun e vendit, a di kush? Si Kryetar i LDK-së dhe qytetar i Kosovës pyes institucionet përgjegjëse të vendit, Presidentin, Kuvendin, Qeverinë, institucionet e drejtësisë: a po ushtrohet sovraniteti shtetëror në komunat Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, në një sipërfaqe prej 1005 km katror, (jo hektar) të cilat përbëjnë 10% të territorit të Kosovës? Në fund të nëntorit kryetarët e këtyre komunave deklaruan se dorëhiqen dhe e ndërprejnë komunikimin me Prishtinën (organet qendrore)”, ka shkruar Mustafa në “Facebook”.

Ai vazhdoi më një varg pyetjesh në lidhje me punën dhe përgjegjësitë e kryetarëve e këtyre komunave të cilët deklaruan se kanë dhënë dorëheqje.

“- A vazhdojnë të financohen këto komuna për paga, mëditje, mallra dhe shërbime, investime kapitale, transfere sociale dhe nevoja tjera nga buxheti i Kosovës dhe kujt i japin përgjegjësi?
– Në çfarë mënyre institucionet e Kosovës komunikojnë me qytetarët e Republikës së Kosovës, serbë, shqiptarë, boshnjak e tjerë që jetojnë në veri?
– Si komunikohet dhe si funksionojnë gjykatësit dhe prokurorët serb në veri të vendit dhe kujt po i japin përgjegjëi?
– A po arrijnë institucionet e vendit të mbikëqyrin vijën kufitare të këtyre komunave me Serbinë për të parandaluar krimin ekonomik, hyrjen ilegale të mallrave përmes rrugëve sekondare dhe evazionin fiskal?
– Pse nuk po shpallen zgjedhjet për kryetarë të këtyre komunave?
– Pyes qytetarët: a është vendim i madh dhe i guximshëm i institucioneve të Kosovës që të lënë në diskomunikim 1/10 e territorit të shtetit, apo është papërgjegjësi dhe paaftësi?”, ishin pyetjet e Mustafës.

Sipas tij, arsyetimi se kryetarët e këtyre komunave iu janë drejtuar institucioneve të Kosovës me Kosovë e Metohi, nuk justifikon heshtjen e Qeverisë dhe ministrisë përgjegjëse. Në të kundërtën, siç thotë Mustafa ata do të duhej të shkarkohen për faktin se nuk po e pranojnë Republikën e Kosovës, në të cilën kanë konkurruar për kryetarë të komunave. “Në këtë rast institucionet po e shkelin ligji”, u shpreh i pari i LDK-së.

“Konservimi i gjendjes në veri jashtë komunikimit me institucione qendrore, frikësohem se është akt i paramenduar për pazare territoriale me Serbinë, për çfarë LDK nuk pajtohet dhe nuk do të pajtohet me asnjë kusht”, ka përfunduar Mustafa.

Në fund të muajit nëntor të vitit 2018, dorëheqje kanë dhënë katër kryetarët e komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin-Potok, Leposaviq dhe Zveçan në shenjë kundërshtimi për taksën e vënë nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe./21Media

Back to top button