Mustafa: Dialogu Kosovë-Serbi ka dhënë rezultate pozitive për Kosovën

Apostolova tha se përparimi në dialog është parakusht për të dy shtetet që të bëjnë përparime në drejtim të BE-së

“Dialogu në mes Serbisë dhe Kosovës, ka dhënë rezultate pozitive për Kosovën. Ky dialog ka dhënë rezultate të mira sepse të gjitha marrëveshjet janë arritur mbi bazën e Kushtetutës”.

Kështu ka vlerësuar kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, gjatë tryezës së mbajtur me temën “4 vite pas marrëveshjes së prillit midis Kosovës dhe Serbisë. Sa po ndihmon dialogu politik”.

Si disa të arritura kryeministri përmendi shtrirjen e sovranitetit në tërë vendin, përfshirjen e serbëve në institucionet e Kosovës, avancimin e rrugës së Kosovës në integrimet evropiane si dhe vendosjen e reciprocitetit në disa fusha.

“Në fushën e njohjes së diplomave, për herë të parë kemi arritur ti bëjmë dhe të arrijmë reciprocitet në mes dy vendeve. Është e arritur në shuarjen e disa strukturave paralele. Funksionimi i organeve të drejtësisë, që nënkupton që do të funksionojnë gjykatat e Kosovës. Si të arritur e vlerësoj edhe heqjen e të gjithave barrikadave”, theksoi kryeministri.

Si të arritur tjetër si rezultat i dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Mustafa përmendi edhe pajisjen e qytetarëve me dokumente të Kosovës si dhe kodin telefonik.

Megjithatë, Mustafa foli edhe për marrëveshjet e dala nga ky dialog e të cilat po vazhdojnë të mos impelmentohen si marrëveshja për energji, marrëveshja për kadastër si dhe marrëveshja për komunat me shumicë serbe.

Mustafa konsideron se procesi i dialogut është shumë i rëndësishëm dhe si i tillë duhet të vazhdojë.

Ndërsa, Nataliya Apostolova, shefe e zyrës së BE-së, tha se përparimi në dialog është parakusht për të dy shtetet që të bëjnë përparime në drejtim të BE-së.

Back to top button