Mustafa konfirmon tensionet në ditën e marrëveshjes

 

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se të premten, Ramush Haradinaj e ka njoftuar se dy ministrat e tij japin dorëheqje, për shkak të mospajtimit që ai kishte, që të Uashington të nënshkruhet marrëveshje, e cila e përfshin edhe Ujmanin.

“Unë jam informuar nga z. Haradinaj më 4 shtator për dorëheqjen e dy ministrave të AAK-së, ( në ora 15:19 min) iu kam përgjigjur se z. Hoti po komunikon me ndërmjetësuesit amerikan por se edhe une edhe ai (Haradinaj) kemi kërkuar involvim të fuqishëm të SHBA-së, prandaj kur është fjala me këtë partner, ne mund të kërkojmë mirëkuptim por është vështirë të kundërshtojmë, sidoqoftë është mirë të ruajmë këtë partneritet mes veti dhe me SHBA-të”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij “Facebook”.

Kreu i AAK-së, Ramush HAradinaj më 4 shtator e kundërshtoi marrëveshjen, pasi sipas tij, ajo kishte një dakordim “trepalësh”, pra Kosovë – SHBA – Serbi rreth Liqenit të Ujmanit. E, Haradinaj thoshte se ai nuk pranon që me Serbinë të ketë cfarëdo marrëveshje, ku përmendet Ujmani.

Më vonë, ai u tërhoq dhe e përshëndeti marrëveshjen.

I pari i LDK-së, ka theksuar se asgjë rreth kësaj pike nuk është ndryshuar, sepse pala amerikane nuk ka pranuar asnjë ndërhyrje në marrëveshjen për të cilën palët ishin pajtuar një ditë më parë./21Media

Back to top button