Mustafa përkujton Enver Malokun

 

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka përkujtuar veprimtarin Enver Maloku në 22 vjetorin e vdekjes.

“Në natën e acartë të 11 janarit 1999, tinëzisht ia ndalën punën dhe angazhimin Zërit të Lirisë, Enver Malokut. Ata që nuk e deshtën çlirimin e Kosovës, vranë veprimtarin Enver Maloku, por asnjëherë nuk e vranë dhe nuk e ndalën veprën e tij të madhe. Enver Maloku i takon plejadës së intelektualëve, gazetarëve dhe publicistëve më të guximshëm të Kosovës që nuk kursyen as jetën e tyre për të mbrojtur bindjet dhe idealet e mëdha për një shtet të lirë dhe demokratik”, ka thënë Mustafa.

Sipas Mustafës, kontributi i Malokut në drejtimin e Qendrës për Informimin e Kosovës është i pazëvendësueshëm.

Mustafa tutje ka thënë se, Maloku mbetet model i shkëlqyeshëm i gazetarëve dhe atdhetarëve të Kosovës, që pa asnjë ngurrim, me një përkushtim dhe vendosmëri të pafund dhe me dashuri ndaj vendit, punuan pa ndalur për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.

“Zbardhja e vrasjes së Enver Malokut dhe veprimtarëve tjerë nuk është vetëm detyrim ndaj familjes dhe LDK-së, por është një obligim ndaj demokracisë së Kosovës, shtetit ligjor dhe drejtësisë në vendin tonë. Ashtu siç e quante Presidenti Historik Ibrahim Rugova, qoftë i përjetshëm kujtimi, për Zëdhënësin e Pavarësisë, Enver Malokun!” “, ka thënë Mustafa./21Media 

Back to top button