Mustafa: Sot votojmë propozimin për kryetar Kuvendi nga VV

A pajtohet LDK nëse VV-ja e propozon Vjosa Osmani për kryeparlamentare?

Sot në ora 15:00 është paraparë të mbahet seanca konstituive e Kuvendit e thirrur nga presidenti i shtetit, Hashim Thaçi. Ndonëse edhe dy orë na ndajnë nga fillimi i seancës konstituive, VV-ja dhe LDK-ja nuk kanë arritur një marrëveshje për formimin e Qeverisë. Megjithëse nga LDK-ja thonë se në rast se VV-ja vjen me propozim për kryetar të Kuvendit, LDK-ja do ta votojë.

“Tash sa i përket ditës se sotme i takon partisë e cila ka dalë e para që ta bëjë propozimin për kryetar të kuvendit, nëse e kanë ndonjë kandidat, ne e votojmë, në mënyrë që të mos krijojmë pengesa kushtetuese për konstituimin e kuvendit”, u shpreh Mustafa në një konferencë për media.

I pyetur se a do ta votonin kandidatin e propozuar nga VV edhe nëse ajo do të jetë Vjosa Osmani, Mustafa deklaroi se VV-ja nuk ka të drejtë ta propozojë dikë nga LDK-ja, veç LDK-së i takon ta propozojë kandidatin e vetë.

“Ata kanë të drejtë ta propozojnë kë të dojnë. Por edhe LDK-ja e ka qëndrimin e vetë, sepse nuk dëshirojmë të hyjmë në relacione të koalicionit as me VV-në as me tjerët përmes një propozimi që e bëjnë ata për një kandidat tonë. Unë besoj që një gjë të tillë s’do ta pranojë as zonja Osmani, as deputetët e tjerë të LDK-së, kandidatët tanë i propozojmë ne. E kemi parë që dëshirojnë të përzihen në punët e tona të brendshme, por po ju themi rrini larg LDK-së, silluni si partnerë të mire, nuk i lejojmë me na i zgjedh kuadrat, edhe ata duhet te kenë respekt”, deklaroi Mustafa.

Në përbërjen e re parlamentare do të jenë të përfaqësuara 14 subjekte politike. Seanca do të kryesohet nga deputeti më i vjetër në moshë, përkatësisht Jahja Koka, shoqëruar nga deputeti më i ri, në rastin konkret, deputetja Fjolla Ujkani, që të dy deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje. Pikë e parë e seancës do të jetë formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, për t’u pasuar me betimin e deputetëve. Seanca konstituive do të përmbyllet me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit./21Media

Back to top button