Nagavci: Kemi edhe shumë e shumë punë tjera që planifikojmë t’i bëjmë për fëmijët

 

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, sot me rastin e Ditës Ndërkombëtare të fëmijëve i ka uruar këta të fundit si dhe ka theksuar se janë gëzimi dhe e ardhmja e vendit tonë për të cilët duhet të kujdesemi dhe ti mbrojmë të drejtat e tyre.

”Sot, në shënimin e kësaj dite, bashkë me kryeministrin, Kurti dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kemi pritur në një takim përfaqësueset e Koalicionit të organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve(KOMF) ku i siguruam se do të bëjmë përpjekje maksimale që të ofrojmë kushte më të mira, trajtim të barabartë dhe arsim e edukim cilësor për të gjithë fëmijët.  Personalisht jam shumë e bindur se punët që kam bërë për fëmijët janë më të bukurat, më të vlefshmet, më kanë falur lumturi e krenari, më kanë përmbushur shpirtërisht me mirënjohje dhe gëzimin e sinqertë për secilin kontribut sado të vogël”, ka shkruar Nagavci në facebook.

Ajo tutje ka shtuar se si ministri e arsimit janë duke u angazhuar në mbrojtjen dhe avancimin e duhur të të drejtave të fëmijëve. Madje ajo ka thekuar se në Grantin Specifik do të bëhet punësimi i 100 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta.

Po ashtu, ministria po parashehë rritjen e numrit të psikologëve, pedagogëve e punëtorëve tjerë social në shkolla. Gjithashtu, këtë javë do të shpallet edhe konkursi për ndarjen e bursave për nxënës të Institucioneve të Arsimit dhe Aftësimit Profesional në drejtimet deficitare si dhe bursa për vajza në drejtimet teknike.

”Kemi edhe shumë e shumë punë tjera që planifikojmë t’i bëjmë në avancimin e dhe realizimin e të drejtave të fëmijëve. Mbesim të përkushtuar në sigurimin e pjesëmarrjes sё plotë në arsim, parandalimin e dukurive negative, parandalimin e dhunës në shkolla, punëve tё detyrueshme për fëmijë, parandalimin e mbrojtjes në internet. Për fëmijët, për sigurinë dhe mirëqenjen e tyre, asnjëherë nuk është mjaftueshëm, asnjëherë nuk duhet ndalur”, ka shkruar tutje Nagavci./21Media

Back to top button