Nagavci: Kemi përmbushur rreth 24% të premtimit për çerdhet

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci deklaroi sot se brenda dy vjetëve qeverisje kanë arritur të përmbushin rreth 24% të premtimit të tyre për ndërtimin e 160 çerdheve.

Në një konferencë për medie, Nagavci bëri të ditur se krahas ndërtimit të çerdheve të reja dhe adaptimit të objekteve ekzistuese si ministri po punojnë edhe në ndërtimin e çerdheve të parafabrikuara.

Ministja e Arsimitr u shpreh që synojnë ndërtimin e çerdheve edhe në zonat rurale me qëllim që t’u ofrohet mundësi dhe qasje e barabartë në edukim të hershëm të gjithë fëmijëve.

“Ne kemi premtuar ndërtimin e 160 çerdheve gjatë mandatit tonë qeverisës, ndërtimin e çerdheve e kemi fokusuar në tri drejtime kryesore, fillimisht ndërtimin e çerdheve të reja në vendet, ku kemi lokacionet e dorëzuara nga komunat dhe po ashtu të plotësuar me aspektet tjera. Jemi duke punuar edhe në adaptimin e objekteve ekzistuese për t’i shndërruar ato në çerdhe të reja dhe po fillojmë punën për ndërtimin e çerdheve të parafabrikuara, si një model i ri i çerdheve”, theksoi ajo.

Nagavci po ashtu deklaroi se deri tani kanë arritur të realizojnë 24% të premtimit të tyre sa i takon ndërtimit të çerdheve.

Ndërsa, potencoi se deri tanë janë përfunduar katër objekte të reja dhe janë adaptuar pesë objekte ekzistuese.

Sa i takon modelit të ri të çerdheve të njohura si të parafabrikuara, ministrja Nagavci tha se tashmë kanë përgatitur shpalljen për kompanitë që do të bëjnë projektimin e këtyre lloj çerdhesh.

Sipas saj, kohëzgjatja e ndërtimit të këtyre hapësirave është 4 deri në 6 muaj për finalizim, ndërsa kosto e ndërtimit do të varet nga madhësia.

Krahas krijimit të infrastrukturës fizike, ministrja Nagavci tha se edhe këtë vit kanë buxhetuar punësimin e stafit që do të punojnë në çerdhe.

“Ne dhe këtë vit kemi buxhetuar dhe planifikuar punësimin e stafit që do të punoj në çerdhe përveç kësaj, ashtu siç e kemi bërë të ditur po punojmë edhe në rikualifikimin e stafit në mënyrë që ata që janë tepricë teknologjike të rikualifikohen për punët që mund të jenë të afërta me profesionin që e kanë përfunduar”, theksoi ajo.

Krahas ndërtimit të çerdheve, sipas Nagavcit, si Ministri e Arsimit kanë bërë veprimet e tyre edhe në finalizimin e ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, i cili ka kaluar tashmë në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.

Po ashtu, ministrja Nagavci njoftoi se shumë shpejt do të hapin tenderin edhe për ndërtimin e katër çerdheve të reja në Prizren, Deçan, Viti dhe Obiliq.

Back to top button