Nagavci: Moszëvendësimi i orëve të humbura masë ekstreme

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se vetëm deri në fund të javës së kaluar janë rreth 580 mijë orë të humbura mësimore. Ajo shtoi se deklarimet se asnjë orë nuk do të zëvendësohet janë shqetësuese.
Nagavci në konferencë për media shtoi se kompetencat për caktimin e kalendarit shkollor i takojnë Ministrisë së Arsimit dhe se do të bëjnë më të mirën që të kompensohen dëmet e nxënësve.
“Deri të premten e javës së kaluar, kur ishin shtatë ditë të pa mbajtura të mësimit, mesatarisht janë diku rreth 580 mijë orë të humbura. Po besoj që pajtoheni se janë tepër shumë. Edhe për mua është tepër shqetësuese deklarimi me lehtësi se asnjë orë nuk do të zëvendësohet. Përtej asaj që janë zgjedhur format më ekstreme të shpalljes së pakënaqësisë ose kërkesës për një vlerë, e cila faktikisht tashmë ka të bëjë me 30 euro, nuk ka të bëjë me as 100 euro. Sepse 50 euro janë ofruar nga qeveria, kërkesa ka qenë 100 euro, të tatueshme i bie që 80 euro do të ishin në kontot e mësimdhënësve. Të përmendet me kaq lehtësi që asnjë orë nuk do të zëvendësohet, kjo veç e vështirëson më shumë situatën. Natyrisht, kompetencat dhe përgjegjësia për caktimin e kalendarit shkollor i takojnë Ministrisë së Arsimit”, ka theksuar ajo.
Në grevë nga 25 gushti janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshte publike, punëtorë të administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.
Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove në muaj për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat. /21Media

Back to top button