Nagavci: Ndërprerja e mësimit s’duhet të përsëritet

Task Forca për menaxhimin e pandemisë COVID-19 në MASHTI, sot ka dalë me disa rekomandime, me theks të veçantë në respektimin me përpikëri të masave anti-COVID-19 nga të gjithë akterët e përfshirë në sistemin edukativ-arsimor, sipas udhëzimeve të IKSHPK dhe në përputhje me gjendjen epidemiologjike në vend.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se ndërprerja e mësimit nuk duhet të përsëritet.
“Që nga shfaqja e COVID-19, fëmijët kanë përjetuar një fëmijëri dramatikisht të ndryshme që do ta mbajnë mend gjatë gjithë jetës së tyre. Kanë humbur orët mësimore, janë përballur me stres e presion të jashtëzakonshëm, ndarjen nga shokët, shoqet e mësuesit/et, dhe janë ballafaquar me mungesën e rutinës ditore. Si në shumë vende të tjera nëpër botë, edhe Kosova po vazhdon një vit tjetër shkollor në kushte të COVID-19. Ndërprerja e mësimit s’duhet të përsëritet”, tha Nagavci.
Tutje Nagavci ka bërë thirrje që të respektohen masat antiCovid, në mënyrë që procesi mësimorë të vazhdojë siç është paraparë.
“Që fëmijët të vazhdojnë të mësojnë, ne të gjithë duhet të respektojmë dhe zbatojmë masat mbrojtëse për COVID-19. Ky brez nuk mund të përballojë më ndërprerje në arsimin e tyre, prandaj ne duhet t’i mbajmë shkollat ​​hapur. Nga kjo varet e tashmja e fëmijëve tanë, e ardhmja e brezit të ri”, shtoi tutje Nagavci./21Media

Back to top button