Nagavci për grevën: Kërcënimet e SBASHK-ut s’mund të vazhdojnë më

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka deklaruar se ministria që ajo drejton në koordinim me komunat i ka bërë përgatitjet e duhur për fillimin e vitit të ri shkollor, derisa paralajmërimet e SBASHK për grevë i ka quajtur të paarsyeshme.
“Pagë dhe kushte të dinjitetshme për mësimdhënësit tanë. Ky premtim do të jetësohet me Ligjin e ri për paga. Mësimdhënësit tanë të të gjitha niveleve pa përjashtim, janë trajtuar me kujdes të veçantë. Jo neglizhim i mësimdhënësve dhe edukatoreve të nivelit parashkollor, por paga dhe kushte te punës së favorshme”, ka shkruar Nagavci. Ajo  ka theksuar se ristrukturimi i procesit të vlerësimit të performancës, licencimit dhe zhvillimit profesional të mësimdhënësve do t’i japin kuptim edhe rritjes në paga.
Nagavci shtoi se paralajmërimet e SBASHK për ndërprerje të procesit mësimor kundrejt rritjes në paga nuk kanë arsyetim.” Ky cikël i përsëritshëm i kërcënimeve nuk mund të vazhdojë më. SBASHK gëzon të drejtë të garantuar ligjore për organizim dhe reagim sindikal, por nuk mund të cenojë të drejtën kushtetuese të nxënësve për shkollim. Nuk ndërpritet procesi mësimor sa herë që dikush dëshiron”, ka theksuar Nagavci.
Ajo ka shtuar se kanë shqyrtuar çdo kërkesë dhe se projektligji i ri i pagave adreson rangimin e punëtorëve të arsimit më mirë sesa “SBASHK-u kishte kërkuar e që ishte pajtuar”.
“Kemi një rrugë të gjatë së bashku edhe këtë vit mësimor dhe sfidat nuk do të mungojnë. Çdo orë dhe ditë mësimore është përgjegjësi ndaj nxënësve për një shkollim më të mirë”, ka shtuar Nagavci.
Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj i kishte reaguar deklaratës paraprake te Ministrës së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci lidhur me Ligjin e Pagave. Jasharaj ka thënë dyshojnë që procedura për Ligjin e Pagave ka nisur “për të krijuar mjegull e hamendje te njerëzit” dhe se sipas tij, as SBAShK-u e as BSPK-ja nuk kanë qëndrim zyrtar sa i përket ligjit të pagave. “Nëse Ministrja Nagavci dhe Qeveria e kanë vërtetë hallin të nxënësit dhe orët e ditët e humbura nga greva, le të nisin me dialogun dhe plotësimin e kërkesave të të sindikatave, që janë në kuadër të BSPK-së”, kishte thënë Jasharaj.
Ndërsa, kundër ndërprerjes së procesit mësimor kanë dalë  Këshilli i Prindërve të Kosovës (KPK). Sipas tyre, sistemi arsimor në Kosovë, në të gjitha nivelet, duhet të kenë prioritet të padiskutueshëm interesin e nxënësve. “Asnjë institucion apo organizatë nuk duhet të përdorë nxënësit për të ngritur ose shtyrë interesa dhe agjenda të caktuara dhe se të gjitha palët e interesit duhet të veprojnë duke pasur këtë në mendje.”, thuhet në njoftimin e KPK-së pas takimit që kanë mbajtur me Ministren e Arsimit, Arbërie Ngavci.
Greva është shpallur nga sinidkalistët prej datës 25 gusht.
Por si rregullohet me ligj mënyra e mbajtjes së grevave?
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, për portalin rtv21.tv ka thënë se e drejta në grevë është e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe ligj. “Përderisa kjo e drejtë shfrytëzohet në bazë të kushteve të përcaktuara me ligj, duke përfshirë paralajmërimin e grevës, kushtet të cilat kërkohet për tu plotësuar, organizimin e grevës nga ana e sindikatës dhe pjesëmarrjes në grevë të së paku 1/3 së punëtorëve”, tha Miftaraj.
Megjithatë sipas tij, Ministria e Arsimit dhe qeveria do të duhej që të zhvillonte dialog konstruktiv dhe të sinqertë me sindikatën për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të evituar grevën. “Në një shtet demokratik qeveria dhe ministria e arsimit nuk do të duhej të zhvillonte dialog apo polemika në distancë me sindikatën, por do të duhej të trajtonte me seriozitetin maksimal kërkesat e sindikatës dhe punëtorëve”, tha Miftaraj.
Kurse, Rinor Qehaja nga Instituti Edguard për portalin rtv21.tv u shpreh kundër ndërprerjes së procesit mësimor si reagim sindikal. Sipas tij, kjo është e papranueshme dhe mbi të gjitha e padrejtë ndaj nxënësve. “Kërkesat e SBASHK për rritje pagash janë legjitime sikurse që janë edhe reagimet tjera sindikale, por asnjëherë, askush nuk mund të argumentoj që duhet të ndërpritet mësimi për shkak të një kërkese për shujte. Mësimdhënësit tanë meritojnë paga të dinjitetshme dhe për këtë kanë përkrahje e të gjithëve.”, tha Qehaja.
Përfaqësuesit e mësimdhënësve po kërkojnë 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e ligjit të pagave, kjo për shkak të rritjeve të çmimeve në po thuajse gjitha produktet dhe shërbimet./21Media
 

Back to top button