Jasharaj i reagon Nagavcit: Nëse të duken 100 euro pak, na i shto 200 a 300 euro

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj i ka reaguar deklaratës së Ministrës së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci lidhur me Ligjin e Pagave.
Jasharaj ka thënë dyshojnë që procedura për Ligjin e Pagave ka nisur “për të krijuar mjegull e hamendje te njerëzit” dhe se sipas tij, as SBAShK-u e as BSPK-ja nuk kanë qëndrim zyrtar sa i përket ligjit të pagave.
“Kërkuam me muaj takime, u organizuan edhe veprime sindikale me protesta e grevë njëorëshe për ta nxitur Qeverinë për dialog e marrëveshje dhe ajo nuk bëri as edhe një milimetër angazhim dhe pikërisht një ditë a dy para se BSPK-ja të shpallte grevën e përgjithshme Ministri Sveçla doli me deklaratën se e paska nisur për proceduara Ligjin e ardhshëm të pagave. Kemi të drejtë të dyshojmë se kjo u bë për t’u krijuar mjegull dhe hamendje të njerëzit. Në medie është filluar të botohen shkrime se sa kujt do t’i bëhet paga e madje diku- diku përmendet edhe vlera 120 euro për koeficientin. Mund të ketë aty këtu edhe individë që po bëjnë llogari se sa do t’u bëhet paga me “Ligjin e pagave” që paska nisur rrugëtimin drejt procedurave”, thuhet në komunikatën e SBAShK-ut.
Jasharaj tha se “kur jemi te kërkesat modeste.. ministrja ka bërë një shaka pa krip”. Ai tha se nëse Nagavcit i duken 100 euro pak, t’ua jep shtesë 200 a 300 euro.
“Këto mund të ndodhin dhe prandaj është kërkesë legjitime e SBASHK-ut dhe e gjithë sindikatave tjera në BSPK që deri sa nuk fillon shteti të jap paga në bazë të Ligjit të pagave, ligj ky që do të ishte produkt i marrëveshjes së Qeverisë me sindikatat, Qeveria të bëj një shtesë prej 100 euro në pagë për të gjithë të punësuarit në arsim dhe sektorët tjerë me arsyetimin e argumentuar se kanë ndodhur ngritje shumë të mëdha të çmimeve të artikujve elementar të jetës. Kur jemi te kjo kërkesa modeste drejtuar Qeverisë për 100 euro shtesë në paga, Ministrja Nagavci bëri një humor pa fije kripe duke na kritikuar se pse paskemi kërkuar pikërisht 100 euro e jo, bie fjala, 300 euro. Ministre ne e kemi ditur se kjo kërkesë është minimale dhe e pamjaftueshme karshi gjithë këtyre ngritjeve të çmimeve, por e kemi bërë sepse mund të realizohej po të donte Qeveria. Nëse ju mendoni se kemi kërkuar pak dhe nuk e keni me tallje, atëherë si Ministre e tërë arsimit që je, kërko dhe realizo në Qeveri kërkesën tënde për 200 a 300 euro shtesë dhe ne do të jemi më të lumturit dhe do të ndjehemi krenar me ty”, ka thënë Jasharaj.
Sipas Jasharajt, “qasja e gabueshme e Qeverisë ndaj sindikatave dhe dialogut, krijimi i mjegullës me apo pa qëllim për Ligjin e pagave dhe ligjet tjera dhe humori pa krip e kanë sjellë situatën deri të greva e përgjithshme”.
“Nëse Ministrja Nagavci dhe Qeveria e kanë vërtetë hallin të nxënësit dhe orët e ditët e humbura nga greva, le të nisin me dialogun dhe plotësimin e kërkesave të të sindikatave, që janë në kuadër të BSPK-së”, përfundoi Jasharaj./21Media

Back to top button