Peci vizitoi Gjakovën, tregon kur do të ekzekutohen pagesat për dëmet në bujqësi

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka vizituar sot komunën e Gjakovës, për të parë nga afër dëmet e shkaktuara në bujqësi nga reshjet e shiut.
Ai ka thënë se dëmet e shkaktuara në bujqësi nga reshjet e shiut, do të kompenzohen nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
“Vizitova sot Komunën e Gjakovës së bashku me zv. Ministrin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal Agon Dobruna, për tu parë më nga afër me dëmet e shkaktuara në bujqësi nga reshjet që mbizotëruan këtë fundjavë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Në kuadër të kësaj vizite, takova edhe Kryetarin Ardian Gjini, i cili më njoftoi me të gjitha zonat e prekura nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e shiut si dhe me ecurinë e procesit të vlerësimit të dëmeve”, ka shkruar ministri Peci në Facebook.
Tutje, ai ka njoftuar se dëmet do të kompenzohen pas vlerësimit të raporteve.
“Si Ministri, edhe këtë vit do realizojmë kompenzimin e dëmeve në bujqësi. Këto dëme do të kompenzohen pas vlerësimit të raporteve që do t’i sjellin drejtoritë komunale për bujqësi. Ne kemi të themeluar Komisionin për Dëme në Bujqësi i cili do të bëjë analizimin dhe vlerësimin e raporteve që vijnë nga Drejtoritë përkatëse”, ka thënë ministri Peci.
Ai ka bërë të ditur se muaji nëntor do të jetë muaji ku edhe do të fillojë ekzekutimi i pagesave për dëmet në bujqësi për vitin 2022./21Media

Back to top button