Nagavci takon drejtorët komunalë të arsimit, kërkon parandalimin e dhunës në shkolla

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se është takuar me Drejtorët Komunal të Arsimit, me përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve të Kosovës dhe me Këshillin e Nxënësve të Kosovës.
“Në kuadër të diskutimeve, marrë shkas edhe ngjarjen e fundit të dhunës ndaj një 11 vjeçareje, e adresova edhe çështjen e sigurisë në shkolla. Si Ministre e Arsimit do të kem zero tolerancë ndaj këtyre rasteve dhe për këtë kishte pajtueshmëri të plotë nga të gjithë pjesmarrësit. E theksova rëndësinë e themelimit të Forumit nacional për siguri në shkolla dhe kërkova vëmendje të veçantë në këtë segment për të parandaluar çdo lloj forme të dhunës në shkolla”, shkroi Nagavci.
Siç ka bërë të ditur Nagavci, “Drejtorët e DKA-ve u deklaruan se janë bërë përgatitjet e duhura për vitin e ri shkollor dhe u pajtuan që 1 shtatori duhet të jetë dita e fillimit të vitit shkollor”.
“Sigurisht u diskutua edhe në lidhje me kërcënimin e SBASHK-ut për çështjen e grevës. I njoftova se nga ana e MAShTI-t të gjithë punëtorët e arsimit janë trajtuar në mënyrë të drejtë në Projektligjin për paga. MASHTI i ka bërë të gjitha përgatitjet për vitin e ri shkollor, është bërë shpërndarja e teksteve dhe është duke u realizuar edhe shpërndarja e Abetares së përbashkët me Shqipërinë. Edhe Këshilli i Prindërve dhe Këshilli i Nxënësve u shprehën se nxënësit nuk është mirë që të pësojnë dhe presin që mësimi të nis më kohë”, shkroi Nagavci./21Media

Back to top button