Nasim Haradinaj pret mysafirët në odën e tij në Gllogjan

Ish-pjesëtari i UÇK-së dhe ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, është duke pritur sonte mysafirë të ndryshëm në odën e tij në Gllogjan, pas lirimit të tij nga burgu.

Haradinaj u lirua me kusht nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Në vendim thuhet se pasi është shqyrtuar tërësia e informacionit që është paraqitur, përfshirë raportin, është vendosur që për lirimin e Haradinajt në përputhje me rregullën 196 të Rregullores dhe nenin 11 të Udhëzuesit të Punës, për pjesën e mbetur të dënimit të shqiptuar nga Paneli i Gjykatës së Apelit, me zbatimin e disa kushteve.

Haradinaj është zotuar se “nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij”.

Më 12 dhjetor 2023, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Ekaterina Trendafilova, vendosi të modifikojë dënimin e Nasim Haradinajt për lirimin e tij më 14 dhjetor 2023, ose rreth kësaj date, sipas kushteve të përcaktuara në vendim.

Këto kushte do të jenë në fuqi gjatë pjesës së mbetur të dënimit të dhënë nga Paneli i Gjykatës së Apelit, konkretisht për pjesën e mbetur të dënimit me katër vjet e tre muaj.

Kryetarja mori parasysh se, megjithëse veprat penale për të cilat Haradinaj u dënua janë padyshim të rënda, duke marrë parasysh efektin mjaft negativ të zbulimit të informacionit konfidencial mbi dëshmitarë (të mundshëm), ishin disa faktorë që peshuan në favor të modifikimit të dënimit të tij.

Trendafilova theksoi se nëse Haradinaj nuk përmbush cilindo prej kushteve të përcaktuara në vendim, atëherë vendimi do të anulohet.

Back to top button