NATO e brengosur për mosmarrëveshjet mes Berlinit dhe Ankarasë

Stoltenberg: Më vjen keq për grindjen Turqi-Gjermani

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se është duke ndërmjetësuar mes Gjermanisë dhe Turqisë, në grindjen në lidhje me bazën ajrore të aleancës, Inçirllik, në të cilën ka të stacionuar edhe ushtarë gjermanë, shkruan rtv21.tv

Autoritetet në Ankara së fundi ndaluan deputetët gjermanë që të vizitojnë ushtarët gjermanë të stacionuar në këtë bazë, gjë që nxiti reagim të ashpër të Berlinit.

Në intervistën dhënë gazetës Bild, Stoltenberg tha se po angazhohet për të gjetur një zgjidhje dhe kritikoi paralajmërimin e qeverisë gjermane se do të tërheq ushtarët e vet nga Turqia.

Ai me këtë rast shprehu keqardhje për shkak të grindjes mes dy partnerëve në radhët e aleancës.

Vendimi i Ankarasë për të ndaluar vizitën e deputetëve gjermanë ka shtyrë autoritetet gjermane që të shqyrtojnë mundësinë e tërheqjes së ushtarëve gjermanë nga Turqia dhe stacionimit të tyre në ndonjë shtet tjetër.

Turqia qartësoi se vendimi për të refuzuar kërkesën për vizitën e deputetëve gjermanë në bazën Inçirllik është pasojë e vendimit të Berlinit për t’i dhënë azil ushtarakëve turq, të akuzuar se kanë qenë të përfshirë në puçin ushtarak vitin e kaluar./21Media

Back to top button