“NATO e gatshme për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti”

Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë i tha RTV21 se gjendja në veriun e Kosovës është e qëndrueshme dhe se nuk ka pasur asnjë ndryshim në qëndrimin e forcave të misionit të KFOR-it. Deklarata e KFOR pasoi nisjen e zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.
Trupat e KFOR-it, thuhet në deklaratën e misionit paqeruajtës, po monitorojnë nga afër situatën në terren dhe janë plotësisht të përgatitura për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes.
KFOR tha se vazhdon të kryejë çdo ditë misionin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt si dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Në deklaratën e KFOR thuhet se komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të Organizatave të Sigurisë së Kosovës dhe të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë./21Media

Back to top button