NATO i rikujton Kosovës Rezolutën 1244, KFOR mbetët garantuesi kryesor i sigurisë

Nisja e punimeve për krijimin e Xhandarmërisë, që sipas kryeministrit në detyrë, Kurti do të jetë “më shumë se polici e më pak se ushtri”, nxiti reagime të shumta.
Një zyrtar i NATO-s për rtv21 bëri të ditur se po përcjell nga afër deklarimet e zyrtarëve institucional, por rikujtoi se në bazë të Rezolutës 1244 të OKB-së, mbetet garantuesi kryesor i sigurisë në Kosovë. Në anën tjetër Ushtaraku në pension, Hysen Gecaj, tha se institucionet në Kosovë duan që të krijojnë një strukturë të re sigurie pa përfunduar transformimin 10-vjeçar të FSK-së në ushtri me kapacitete të plota.
“Po i përcjellim nga afër deklarimet e vazhdueshme të institucioneve në Kosovë lidhur me këtë çështje. U takon atyre të komentojnë më në detaje. NATO vazhdon të bashkëpunojë me të gjitha organizatat e sigurisë në Kosovë dhe të japë kontributin e saj për siguri të qëndrueshme në Kosovë, në dobi të të gjithëve. Në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, KFOR-i garanton një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes. Kjo bëhet në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), sipas roleve të tyre përkatëse si reagues të sigurisë. Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s (NALT) ka mbështetur zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në përputhje me mandatin e saj fillestar për mbrojtje civile, përmes ngritjes së kapaciteteve, edukimit dhe koordinimit të trajnimeve.”, thuhet në përgjigjen e NATO-s.
“Ti po don me kriju strukturë të re të sigurisë pa e përfunduar FSK-në…”, tha Gecaj.
Megjithëse nga shumë kush vendimi i ministrit të brendshëm për nisjen e punimeve për krijimin e Xhandarmërisë po shihet si një premtim për fushatë zgjedhore, ekspertët e sigurisë vlerësojnë se krijimi i një strukture të re kërkon kohë dhe ndryshime ligjore në Kuvend. Ushtaraku në pension Hysen Gecaj vlerëson se në vend të fokusimit në krijimin e strukturave të reja të sigurisë institucionet do duhej që të rrisnin investimet në strukturat aktuale dhe të punonin më shumë për anëtarësimin e Kosovës në NATO
“Më mirë të investohet në këto kapacitete që janë të përmirësohen kushtet dhe të punohet në përafrim me NATO-n…”, shtoi Gecaj
Kohën e gjatë që merr krijimi i një strukture të re të sigurisë që nga miratimi i saj në Kuvendin e Kosovës e deri tek nisja e operimit të saj e thekson edhe ish-drejtori i policisë së Kosovës Reshat Maliqi, ndërsa thekson nevojën për përmirësim të kushteve tek institucionet aktuale të sigurisë.
“Nuk mjafton që të ktijohet një kuantitet apo të provohet të krijohet diçka për qëllime të tjera. Që ato të krijohen dhe të jenë funksionale duhet t’i kushtohet rëndësi më e madhe. Po e marr si shembull që stacioni i policisë në Gjilan ende nuk ka hapësirë të mjaftueshme të operimit. Duhet të investohet në krijimin e kushteve në këto institucione që janë, paga, uniforma pajisje të reja pastaj të krijohet buxheti që të bëhen edhe struktura të reja pse jo…”, tha Maliqi.
Megjithatë mbetet e paqartë mënyra se si pritet të formohet dhe hyjë në funksionon Xhandarmëria meqë aktualisht FSK në zona të caktuara nuk lejohet të shkojë pa një leje nga KFOR-i./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?