Ndahen mbi 4 milionë euro shtesë për blerjen e barnave esenciale

Kërkesa e Shërbimit Spitalor dhe Klinik, Universitar të Kosovës (ShSKUK), ka marrë mbështetjen e Qeverisë.
Sot janë ndarë edhe 4 milionë e 200 mijë euro për blerjen e barnave esenciale, si mjete shtesë për tremujorin e fundit të vitit 2022.
Ministri i Financave, Hekuran Murati sot në mbledhjen e Qeverisë tha se mjetet e ndara do të merren nga nën-programi kontigjencat në Ministrinë e Financave.
Pogromi legjislativ i Qeverisë do të plotësohet me shtimin e projektligjit për maturën shtetërore, tha kryeministri i Kosovës, ndërsa shtoi se me qëllim të përgatitjes sa më të mirë të draftligjeve po shtyjnë atë për shërbimin e jashtëm.
Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit përmes së cilit, u tha se rregullohet mbrojta e konsumatorit, përgjegjësitë e tregtarit, përgjegjësitë e konsumatorit në blerjen e produkteve dhe shërbimeve, si dhe adresohen çështje të tjera të ndërlidhura me këto.
Në këtë mbledhje, kabineti qeveritar ka krijuar këshillin organizativ për të shënuar përvjetorin e 110 të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në krye të së cilit u vendos ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Ekzekutivi ka miratuar edhe Draftin e Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit për Menaxhimin dhe Kontrollin e qenve me dhe pa pronar në Republikën e Kosovës për vitet 2022-2028./21Media
 

Back to top button