Ndalohen 10 persona të maskuar në Prishtinë, gjobiten për prishje rendi

Dhjetë persona të maskuar janë ndaluar sonte nga Policia e Kosovës në Prishtinë, ndaj të cilëve është shqiptuar gjobë për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Lajmin për portalin rtv21.tv e konfirmoi zëdhënësja e policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ahmeti bëri të ditur se personat në fjalë, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur, ishin të shoqëruar edhe me dy qenë duke parakaluar në sheshet e kryeqytetit.
“Sot rreth orës 18:00, në shesh në Prishtinë, policia ka ndalur dhe shoqëruar në stacion policor 10 persona. Personat në fjalë të cilët me vete kishin dy qenë, kanë parakaluar në sheshet e Prishtinës të maskuar duke iu shkaktuar shqetësim qytetarëve që ishin prezent në atë zonë”, tha Ahmeti.
Personat në fjalë pas intervistimit në koordinim me prokurorin e shtetit, janë liruar, ndaj tyre janë shqiptuar gjoba për prishje të rendit dhe qetësisë publike./21Media

Back to top button