Ndalohet këshilltari i MPMS-së në Merdare, reagon Haradinaj

Haradinaj e cilëson të papranueshëm këtë veprim

Këshilltari në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nebojsa Jakovljevic është ndaluar sot nga autoritetet e Serbisë në Merdare.  Këtë e bëri të ditur Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ku tha se ky është veprim i radhës i papranueshëm dhe i dënueshëm.

“Ndalimi i Nebojsa Jakovljevic nga autoritetet e Serbisë në Mërdarë, është veprimi i radhës i papranueshëm dhe i dënueshëm. Jakovljevic është këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pjesë e partisë SLS dhe vëllai i nënkryetarit të Komunës së Obiliqit, familjen e të cilit e kam vizituar gjatë muajit dhjetor. Qeveria e Kosovës dënon ashpër këtë formë të presionit dhe kërcënimit nga ana e Serbisë për qytetarët e komunitetit serb të Kosovës.”, shkroi Haradinaj.

Sipas tij, ky veprim është pjesë e një fushate të orkestruar të pushtetit serb dhe apelon te zyrtarët e BE-së dhe te Bashkësia Ndërkombëtare që t’i bëjnë presion Beogradit t’i ndalojë veprimet e tilla.

“Ky veprim, nuk është i vetmi dhe as i izoluar, por është pjesë e një fushate të orkestruar të pushtetit serb, për ta kërcënuar drejtpërdrejt sigurinë e vendit tonë.
Kosova është e përkushtuar për dialog, që mundëson arritjen e një Marrëveshjeje përfundimtare me shtetin fqinj dhe secili akt që pengon këtë frymë është i papranueshëm. Apeloj tek zyrtarët e BE-së si dhe tek Bashkësia Ndërkombëtare, që të reflektojë për t’i bërë presion Beogradit të ndalojë menjëherë veprimet e tilla të njëpasnjëshme kundër qytetarëve të Kosovës, të cilat tregojnë qartë rrugën që ka zgjedhur Serbia kundër lëvizjes së lirë, frymës europiane të bashkëpunimit si dhe vlerave të përbashkëta.”, bëri të ditur më tej Haradinaj.

Në pikën kufitare në Merdare, para një jave është ndaluar edhe nënkryetari i Partisë Liberale të serbëve të Kosovës, si dhe zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Boban Stankoviç. Lidhur me këtë reagoi Haradinaj duke thënë se provokimet dhe qasja jokonstruktive e shtetit serb ndaj qytetarëve të Kosovës po vazhdojnë./21Media

Back to top button