Nokia, kompania e radhës që largohet nga tregu rus

Nokia ka njoftuar zyrtarisht daljen e saj nga tregu rus.

“Ka qenë e qartë për Nokia që në ditët e para të pushtimit të Ukrainës se vazhdimi i pranisë sonë në Rusi nuk do të ishte i mundur,” tha kompania finlandeze e telekomit në një deklaratë për shtyp.

Nokia tha se prioriteti i saj kryesor vazhdon të jetë siguria dhe mirëqenia e punonjësve të saj.

“Për arsye humanitare, qeveritë perëndimore kanë shprehur shqetësime për rrezikun e dështimit të infrastrukturës kritike të rrjetit të telekomunikacionit në Rusi.  Ata kanë theksuar gjithashtu rëndësinë e sigurimit të rrjedhës së vazhdueshme të informacionit dhe aksesit në internet, i cili ofron perspektiva të jashtme për popullin rus. Prandaj, me daljen ne do të synojmë të ofrojmë mbështetjen e nevojshme për të mirëmbajtur rrjetet dhe po aplikojmë për licencat përkatëse për të mundësuar këtë mbështetje në përputhje me sanksionet aktuale”, thuhej më tej në njoftim. 

Nokia tha se nuk pret që ky vendim të ndikojë në perspektivën e saj financiare dhe se Rusia përbënte më pak se 2% të shitjeve të saj neto në 2021.

Kjo vjen pasi kompania suedeze e telekomunikacionit Ericsson njoftoi se po pezullonte biznesin e saj në Rusi për një kohë të pacaktuar./21Media

Back to top button