Ndarja e dialogut nga rruga integruese – kurth për Kosovën
Partitë politike në opozitë e kanë cilësuar si të rrezikshme një kërkesë të kryeministrit Kurti për ndarjen e procesit të normalizimit me Serbinë dhe rrugës së anëtarësimit të Kosovës në BE. Ato thanë se kjo kërkesë i shkon për shtati Serbisë për shkak se BE-ja e ka kushtëzuar Serbinë me kapitullin e 35 për anëtarësimin e saj në BE me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Por për përfaqësuesit e partisë në pushtet kërkesa e Kurtit është e drejtë.
“Duhet të ndahet procesi i anëtarësimit në BE, prej normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kjo kërkesë e kryeministrit Kurti është kritikuar dhe është quajtur e dëmshme nga partitë opozitare. Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, thotë se deklarime të tilla shkojnë në favor për Serbinë dhe po bëhet për përfitime politike të Kurtit.
‘’Gabimi dhe dëmi më i madh në proces të dialogut është heqja dorë nga njohja reciproke si përfundim i marrëveshjes me Serbinë. Kjo deklaratë e Kurtit mund të përdor si arsyetim sepse dy pikat që janë në marrëveshje janë të dyshimta se si do të implementime që janë në dëme për Kosovën. Ky është një arsyetim i vonshëm dhe popullsitë”, ka thënë Zemaj.
Por përfaqësuesit e partisë në pushtet thonë se BE-ja ka qasje të padrejtë ndaj Kosovës me ndërlidhjen e procesit të dialogut me proceset e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Deputeti i VV-së, Burim Meta, tha se Kosova është e gatshme për normalizim të marrëdhënieve, por akuzoi Serbinë për mos gatishmëri.
‘’Është një e padrejtë e pakontestueshme. Duhet të mësohet BE-ja të mos e ledhatoj Serbinë, BE-ja duhet të bëjë një ndarje procesin e dialogut nga anëtarësimi në organizata, sepse është në interes të Serbisë që të zvarritet procesi i dialogut dhe Kosovës kjo nuk i konvenon. Ne jemi të gatshëm që normalizimin e raporteve me Serbinë, por vet Serbia nuk është e gatshme për një marrëveshje të tillë. Edhe ata e din se i kanë kërkesat e paarsyeshme. Ne jemi të gatshëm që të jemi pjesë e botës së përparuar”, ka thënë Meta për RTV21.
Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, ka qenë i qartë sa i përket qëndrimit të SHBA-së ndaj Ballkanit e Perëndimor. Sipas tij, askush nuk duhet ta pengoj tjetrin në rrugën integruese. O’Brien ka thënë se nëse ndodh një gjë e tillë do të ketë pasoja për palët. Kërkesa e kryeministrit Kurti që të ndahet procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë nga rruga integruese po shihet si kërkesë e ngjashme me atë të Serbisë. Sipas analistit politik, Visar Xani, Serbisë i konvenon një ndarje e tillë, sepse, BE-ja ka synim që ta kushtëzojë Serbinë me kapitullin e 35 për anëtarësimin e saj në BE me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
‘’Ne si Kosovë duhet të lobojmë shumë që të lidhet procesi i dialogut me proceset integruese për shkak që e vetmja mundësi për të kushtëzuar Serbinë ka qenë shpresë kapitulli i 35, dhe nëse ne e eliminojmë këtë kjo i konvenon Serbisë”, ka thënë Xani.
Në kapitullin e 35 Serbisë i kushtëzohet anëtarësimi në BE me normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët e saj që ndërlidhet drejtpërdrejt me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin me Kosovën. Por, kundër këtij kushtëzimi ka dal Hungaria./21Media