Osmani në takim me ministrin çek: Masat e BE-së të padrejta, po krijojnë mungesë ekuilibri në dialog

(Lajm i përditësuar)
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvořák.
Në njoftim thuhet se në fokus të diskutimit ndërmjet presidentes Osmani dhe ministrit Dvořák, ishte situata aktuale politike dhe e sigurisë, forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe stabiliteti rajonal.
Osmani nënvizoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës në rrugëtimin euroatlantik, duke theksuar domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim, përfshirjen në Partneritetin për Paqe, anëtarësimin në NATO, BE dhe organizata ndërkombëtare.
Mëtej, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Duke nënvizuar vazhdimin e mbështetjes së Republikës Çeke në këtë rrugëtim, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë strategjike të përfshirjes së Kosovës në PfP, e më pas në NATO, si një garanci për stabilitet jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit. Ndërlidhur më këtë, Osmani, gjithashtu tha se Kosova meriton ta marrë statusin e vendit kandidat në BE, si vend që ka realizuar reforma rrënjësore.
Në takim me ministrin Dvořák, Osmani theksoi se sulmi terrorist dhe agresioni i 24 shtatorit në Banjskë, i mbështetur dhe sponzorizuar nga Serbia ishte përpjekje për ta minuar paqen dhe stabilitetin, jo vetëm të Kosovës, por të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Gjatë takimit, presidentja Osmani theksoi nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, për të cilat tha se janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog.
Duke spikatur marrëdhëniet e kahershme pozitive ndërmjet Kosovës dhe Republikës Çeke, ata diskutuan edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.
Osmani pas takimit me ministrin çek: Çekia është aleate e palëkundur e Kosovës
Presidentja, Vjosa Osmani pas takimit me Ministrin çek për Çështjet Evropiane, Martin Dvořák është shprehur se ia ka konfirmuar se “Çekia gjithnjë do të jetë përkrah Kosovës”.
“Përkrahja për liberalizimin e vizave, për anëtarësim në BE, NATO e në organizata të tjera ndërkombëtare, dëshmojnë se Çekia është aleate e palëkundur e Kosovës”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ministri çek u takua me Presidenten Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak.
Më pas, Dvorak do të pritet edhe nga kryeministri i Republikës, Albin Kurti, si dhe nga zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.
Ministri çek sot në Kosovë, pritet nga Osmani, Kurti e Bislimi
Ministri për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë.
Ai fillimisht do të pritet nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Në orën 09:15, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvořák”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Derisa ministri çek do të pritet në takim edhe nga Albin Kurti dhe zëvendësministri Besnik Bislimi, do të takohen në orën 10:30.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpresin në takime bilaterale Ministrin për Çështje Evropiane të Republikës së Çekisë, Martin Dvorak”, thuhet në njoftim.
Kurse, Bislimi dhe Dvorak do të mbajnë një takim bilateral në orën 11:00.
Si përfundim, në orën 11:30 zëvendëskryeministri Bislimi dhe Ministri për Çështje Evropiane të Republikës së Çekisë, Martin Dvorak, mbajnë konferencë për media./21Media