Mbi 40 mijë qytetarë aplikuan për pasaporta brenda muajit Janar
Mbi 40 mijë qytetarë kanë aplikuar për pasaporta të Republikës së Kosovës që nga 3 janari e deri më tani. Sipas Agjencisë së Regjistrimit civil, kjo shifër ka kaluar çdo pritshmëri të tyre. Qytetarët ankohen për radhët e gjata në procesin e aplikimit për pasaportë.
Ende pa u bërë një muaj nga liberalizimi i vizave, në Agjencinë e Regjistrimit Civil, fluks i madh i qytetarëve po shihet çdo ditë për t’u pajisur me pasaporta kosovare, raporton RTV21.
Që nga 3 janari e deri më tani, mbi 40 mijë qytetarë kanë aplikuar për pasaportë në Agjencinë e Regjistrimit Civil. Kjo ka bërë që qytetarët të presin në radhë me orë të tëra.
“…prej orës 8:30 jom t’u pritë edhe numri 247 është deri në qitë moment. Mirë janë t’u punu po tash ka shumë kërkesa edhe për atë…”, tha njëri nga qytetarët.
“…prej 10-ve, 432, reni i madh koka boll po çka me bo..edhe 210 vetë…”, tha një tjetër qytetar.
“…prej sabahit, prej 8-ve qitu jom t’u pritë edhe qe qitash…”, tha një qytetarë që që po priste për të aplikuar për pasaportë.
Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Blerim Camaj, thotë, se për shkak të fluksit të madh të qyetarëve për pasaporta është krijuar gjendje e jashtëzakonshme në këtë sektor.
“…po vërhet që nga 3 janari kërkesat janë rritë shumë nga qytetarët. Dikund i kemi mbi 40 mijë kërkesa…mirëpo i njoftojmë të gjithë qytetarët se për shkak të kërkesave të mëdha, jemi të obliguar të presin jo brenda afatit ligjor 15 ditësh, sepse nuk kemi mundesi ta respektojmë atë afat…brenda ditës në fillim të janarit ka qenë deri në 4 mijë apo 4.500. Në javën e kalume është vërjetë një ramje e lehtë deri në 3,500…”, tha IBlerim Camaj për RTV21
Përkundër pajisjes me material të mjaftueshëm, në Agjencinë e Regjistrimit Civil thanë se numri i madh i aplikimeve për pasaportë ka kaluar pritshmëritë e tyre./21Media