Ndërkombëtarët reagojnë pas miratimit të Ligjit për KPM-në dhe atij për KPK-në: U injoruam

(Lajm i përditësuar)


​Ligji për KPM-në,  Szunyog: Kuvendi dështoi në inkorporimin e rekomandimeve të BE-së

Pas miratimit të sotëm të ligjit të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) ka reaguar Ambasadori i BE-së, Thomas Szunyog duke thënë se Kuvendi i Kosovës sot humbi mundësinë për të pasur dy ligje të mira, Ligjin e ndryshuar për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, duke dështuar në inkorporimin e plotë të rekomandimeve të BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.

“Në fund të fundit, ligjet e mira nuk kanë të bëjnë vetëm me rrugën e Kosovës drejt BE-së. Ato kanë të bëjnë me sigurimin e sundimit të ligjit, drejtësisë dhe mbrojtjes së qytetarëve. Na vjen keq që Kuvendi nuk arriti t’i trajtojë këto shqetësime kryesore dhe të përafrohet me standardet e BE-së dhe evropiane”, ka shkruar Szunyog në rrjetin X.


Reagon ambasadori gjerman për ligjin për KPK-në dhe KPM-në: U injoruam

Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka injoruar rekomandimet e Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së për projektligjin për Këshillin Prokurorial dhe atë të Komisionit të Pavarur për Media, të cilat u miratuan të enjten nga Lëvizja Vetëvendosje në Kuvend.

Në platformën ”X” Rohde për Kosovën ka shkruar se çdo mundësi e humbur është shumë.

“Kosovarët duan të jenë pjesë e familjes evropiane dhe nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të përshpejtojë rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, çdo ligj i ri duhet të jetë plotësisht në përputhje me standardet evropiane. BE-ja, KiE-ja dhe OSBE-ja kanë dhënë rekomandimet e tyre për ligjet, por janë injoruar…”, ka shkruar ambasadori në X.


Ligji i ri për KPM-në, OSBE-ja e shqetësuar me disa aspekte

Pas miratimit të sotëm të ligjit të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) nga Kuvendi i Kosovës ka reaguar Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë.

Në reagim, OSBE-ja thotë se KPM-ja ka rol kyç në kuadrin rregullativ të mediave të Kosovës.

“Aftësia për operim të pavarur dhe profesional ka qenë çelës i besueshmërisë dhe autoritetit të saj. Për këtë qëllim, ekspertët ndërkombëtarë të së drejtës së medias, në emër të Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe OSBE-së, kanë paraqitur rekomandime të detajuara për përafrimin e ligjit me standardet ndërkombëtare. Megjithatë, për fat të keq, shumica e këtyre rekomandimeve nuk janë pasqyruar në ligjin e miratuar”, ka thënë misioni i OSBE-së në Kosovë.

Rekomandimet kryesore të ekspertëve që nuk janë marrë parasysh, OSBE-ja thotë se kanë nxitur shqetësime rreth dispozitave të reja të cilat do të kenë ndikim në përbërjen, rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së, si dhe në procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj dhe kushtet e shërbimit për të zgjedhurit.

Po ashtu, thuhet se nuk janë marrë parasysh as rekomandimet për rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së gjatë fushatave zgjedhore.

OSBE thotë se ndonëse e mirëpret miratimin e rregulloreve në lidhje me pronësinë dhe përqendrimin e medias, “konsiderojmë se, ashtu siç janë hartuar tani, u mungon qëndrueshmëria procedurale”.

Misioni i OSBE-së thotë se vazhdon të mbështesë me përkushtim Kosovën në përafrimin e legjislacionit të saj me standardet më të larta ndërkombëtare.


Ligji i ri për KPM-në, Gutierrez: Ditë e zezë për lirinë e medias

Miratimin e Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave nga Lëvizja Vetëvendosje të enjten në Kuvend sekretari i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutierrez, e ka konsideruar “ditë të zezë për Kosovën”.

“Kosovë: Parlamenti sapo miratoi ligjin për media (Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave) pavarësisht këshillave nga KiE, BE, OSBE dhe EFJ për ta mos miratuar. Sot është një ditë e zezë për lirinë e medias dhe demokracinë në Kosovë. Partitë politike opozitare e bojkotuan seancën”, ka shkruar Gutierrez në “X”.


AGK: Miratimi i Ligjit për KPM-në, tentim për disiplinim e kontroll të mediave

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim miratimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave me kuorumin minimal dhe pa prezencën e opozitës në sallë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim miratimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave me kuorumin minimal dhe pa prezencën e opozitës në sallë.

Në reagim thuhet se partia politike në pushtet nuk i ka marrë parasysh vërejtët e shoqërisë civile e mediave, dhe ka shpërfillur raportin e ekspertes së Këshillit të Evropës që ka konstatuar se pjesa më e madhe e ligjit nuk i përmbush standardet evropiane, duke përfshirë ato të Këshillit të Evropës, gjë e cila u konstatua sot para votimit edhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Votimi i sotëm është prej goditjeve më të mëdha që Qeveria e Kosovës dhe Vetëvendosje ka bërë kundër lirisë së medies në Kosovë, në një përpjekje të nisur qysh prej fillimit të mandatit për disiplinimin dhe kontrollimin e tyre. Votimi i sotëm do të ketë një tjetër efekt negativ në renditjen e vendit në raportet ndërkombëtare të fushës”, thuhet në reagim.


​Deputetët miratojnë Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave

Me 59 vota për dhe dy abstenime, është miratuar Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave. Në seancën e sotme plenare janë miratuar edhe 93 amendamentet e këtij ligji.

Deputetët të cilët abstenuan gjatë votimit të kësaj nisme legjislative ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje Eman Rrahmani dhe Dimal Basha.

Organizatat joqeveritare nuk e kanë mbështetur Ligjin për KPM-në, meqë kanë thënë se nuk janë marrë parasysh 80 për qind e rekomandimeve të Këshillit të Evropës.

Ky projektligj, i dorëzuar më 27 dhjetor 2023, parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio e video materiale.

Ndërkaq, Kuvendi nuk arriti ta miratoj në lexim të dytë ligjin për Zyrtar Publikë dhe si i tillë është bartur për një seancë të ardhshme.

Back to top button