Ndërmjet izolimit, druve dhe tushit për dy veta!

Një propozim i ministres së Ekonomisë Artane Rizvanolli për izolim të shtëpive me qëllim të tejkalimit të krizës energjetike, qytetarët e kanë parë si absurd dhe të parealizueshëm. Çmimet në treg të materialit ndërtimor janë rritur. Ata duan që sivjet ta kalojnë me ngrohjen me dru, por edhe çmimi i tyre është dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar. Qeveria ndërkaq nuk dha ende përgjigje nëse do të ndihmojë qytetarët për realizimin e idesë së izolimit të shtëpive.
“Çfarë mund të bëjnë familjet, është marrin masa për izolim të shtëpive para se të fillojnë temperaturat e ulëta. Të përpiqen të ndërrojnë mënyrën ngrohjes, pra jo me energji elektrike”, tha dite me pare Artane Rizvanolli-ministre e Ekonomisë.
Kjo është zgjidhja që ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli e ka paraparë për tejkalimin e krizës me energji elektrike. Por ministrja nuk foli nëse Qeveria do t’ju ndihmojë qytetarëve në këtë kërkesë të saj.
Propozimi i ministres po shihet si absurd nga qytetarët, pasi që jo të gjithë i kanë mundësitë ta bëjnë një gjë të tillë,
Misim Zeka nga Prishtina shtëpia e të cilit është pa izolim thotë se e ka të pamundur ta izolojë shtëpinë pasi që nuk i ka mundësitë financiare, teksa shton se alternativë të vetme për ngrohje e ka energjinë elektrike.
Edhe qytetarë të tjerë shprehin pakënaqësi me propozimin e ministres Rizvanolli për izolim të shtëpive.
Në këtë kohë kur po kërkohet izolimi i shtëpive, materiali ndërtimor është shtrenjtuar dukshëm krahasuar me vitin e kaluar. Tani izolimi i një shtëpie mund të kushtojë deri në 7 mijë euro, na tha Ramiz Gashi, pronar i nje kompanie.
Ndërkohë, edhe KEDS ka paralajmëruar një dimër të vështirë, si shkak i krizës energjetike, derisa është kërkuar zgjedhja e mënyrave të tjera për t’u ngrohur.
“Drutë janë alternativa që qytetarët po zgjedhin për t’u ngrohur gjatë dimrit . mirëpo çmimi i tyre sivjet është rritur dukshëm, varion nga 60 euro e tutje”
Por shtohet pyetja a më lirë janë drutë apo izolimi i shtëpisë?
Në Ministrinë e Ekonomisë nuk bënë të ditur nëse qeveria do ta subvencionojë izolimin e shtëpive të qytetarëve dhe as nëse kanë marrë ndonjë masë për zbutjen e krizës. Mirëpo një ditë më parë ministrja Artane Rizvanolli tha se kanë ndërmarre dhe vazhdojnë të marrim masa në shumë drejtime, prej kursimit deri tek mbështetja për ata që nuk i kanë mundësitë. Idetë e Qeverisë së Kosovës në kohë krize megjithatë duket të jenë të shumta, por mundësitë e qytetarëve janë pakësuar meqë fuqia e tyre blerëse ëstë zvogëluar./21Media

Back to top button