Nderohen me një minutë heshtje punëtorët që humbën jetën në vendin e punës

Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës ka nisur protestën të hënën me një minutë heshtje për punëtorët që kanë vdekur në vendin e punës gjatë këtij viti.

Me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, protestuesit e sektorit privat kanë kërkuar rritjen e pagës minimale 450 euro, nënshkrimin e Kontratës Kolektive, trajtim të barabartë të punëtorëve me sektorin publik dhe fond për punëtorët që humbin jetën dhe ata që lëndohen në vendin e punës.

Protestuesit kanë mbajtur në duar disa pankarta me mbishkrime: “Rritni pagat”, “S’punojmë më për 200 euro”, “Qeveri nënshkruani marrëveshjen kolektive”, “Duam të drejtat tona” dhe “Kërkojmë rritjen e pagave”.

Kryesindikalisti, Jusuf Azemi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës t’i mbajë premtimet e dhëna gjatë fushatës për punëtorët e sektorit privat, sepse sipas tij puna karshi sektorit privat është zero.

“Do të kishim pas dëshirë të festojmë edhe ne sot, por nuk dolëm sepse pronarët e kompanive dhe qeveria nuk po na lejojnë këtë. Nuk mund të dalim e të festojmë sikur ata për vete, sepse së paku ata nuk e kanë problem pagën, ata e kanë problem që ne kur ua prishim gjumin të na ironizojnë. Edhe ne kemi shpirt e duam të jetojmë e t’i gëzojmë fëmijët tanë, por ju nuk po lejoni. Qeveria ka premtuar gjatë fushatave për kushte më të mira ndaj sektorit privat, por nuk i ka mbajtur fjalët”, tha Azemi.

Azemi u shpreh se vetëm për dy vitet e kaluara e kanë lëshuar Kosovën mbi 100 mijë punëtorë.

Ndryshe gjatë ditës në kryeqytet janë mbajtur dy protesta, dhe një aksion simbolik nga Partia Socialdemokrate.

Back to top button