Nderohet jeta dhe vepra e akademikes Edi Shukriu

Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, sot u mbajt mbledhje komemorative si dhe u mbajtën homazhe në nderim te figurës akademike, Edi Shukriu.
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Mehmet Kraja tha se me ikjen e Edi Shukriut edhe vendi do të jetë më i varfër.
“Nga sot do të jemi më të varfër, jo vetëm për një arkeologe të shkëlqyer, historiane, profesoreshë, shkrimtare, poete e dramaturge por do të jemi më të varfër edhe për një miqësi të sinqertë, për një personalitet të veçantë që kishte mbresinë e observimit intelektual e cila ishte mënyra e saj e të menduarit dhe gjykuarit. Edi do ju mungojë të gjithëve, edhe atyre që e donin më shumë dhe atyre që e donin më pak”, tha Kraja.
Sekretarja e Seksionit të Shkencave Shoqërore, Gjyljeta Mushkolaj, në emër të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, derisa kujtoi figurën e saj, ajo e vlerësoi si një person me vlera të mëdha që kishte për vendin.
Valtida Shukriu, mbesa e Edi Shukriut kujtoi disa nga fjalët dhe poezitë e arkeologes, Shukriu, derisa tha se asnjëherë nuk është ndalur duke qenë këmbëngulëse për emancipim e barazi mes popujve e gjinive.
“Si për të gjithë shoqërinë, dhe për ne Edi Shukriu ishte një intelektuale e veprimtare. Këtu për çështjen e popullit tonë, aty për çështjen e gruas. Ne veç patëm rastin të përjetonim për së afërmi zjarrin e saj, përpjekjet e saj këmbëngulëse e kokëforte për emancipim e barazi mes popujve e gjinive, përtej popujve e përtej gjinive. Sot nuk ka diçka më adekuate sesa fjala e saj për te kujtuar detyrën që ka shoqëria dhe mbi të gjitha intelektualja karshi çështjeve publike, etike e politike, brenda dhe jashtë Universitetit”, tha Shukriu.
Varrimi i të ndjerës do të bëhet sot në orën 15:00, në varrezat katolike të qytetit të Prizrenit.
Kujtojmë që, Edi Shukriu gjatë viteve ‘90 është angazhuar në lëvizjen për liri, krijimin e shtetit të Kosovës dhe zhvillimin e proceseve demokratike dhe njëkohësisht edhe për pjesëmarrjen e gruas në nivelet e vendimmarrjes, në jetën publike dhe për jetësimin e barazisë gjinore. Ajo ka vepruar në Ministrinë e Punëve të Jashtme (1991-1998) dhe ka qenë deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës (1992-1998), ka qenë bashkëdrejtuese e Departamentit të Kulturës-UNMIK (2000-2001) dhe deputete e Kuvendit të Kosovës (2002-2004)
Ajo ka bashkëthemeluar Forumin e Gruas të LDK-së (1990) dhe ka qenë kryetare e tij (1995-2000), më pas ka bashkëthemeluar partinë Alternativa Demokratike e Kosovës (2004-2013). Ajo ka qenë kryetare e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore (2009-2012), anëtare dhe më pas Nënkryetare e PEN Qendrës së Kosovës. Ajo ka bërë vizita studimore dhe ligjëroi në shumë universitete te në Itali, Amerikë, Austri, Francë, Britani, Belgjikë, Shqipëri, Turqi, Kroaci, Poloni, Spanjë etj.
Në vitin 2012 ishte zgjedhur anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe në vitin 2020 anëtare e rregullt e saj. Nga viti 2014 ka qenë anëtare e Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve në Salzburg.

Back to top button