Rrëzimi i helikopterit, Zelensky: Mëngjes i zi për Ukrainën

Pas rrëzimit të helikopterit në Ukrainë, si pasojë e të cilit vdiq edhe ministri i punëve të brendshme reagoi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Zelensky shprehu ngushëllimet e tij për familjet dhe miqtë e viktimave, të cilët i cilësoi si patriotë.
“U prefshin në paqe të gjithë ata që u morën jetën këtë mëngjes të zi”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në deklaratën e tij të parë për aksidentin.
“Denys, Yevhen, Yuri, ekipi i Ministrisë së Punëve të Brendshme… patriotë të vërtetë të Ukrainës. U prefshin në paqe! U prefshin në paqe të gjithë ata që u morën jetën këtë mëngjes të zi!”
Rrëzohet helikopteri në Kiev, vdiq ministri i Brendshëm
Gjashtëmbëdhjetë persona janë vrarë, përfshirë ministrin e punëve të brendshme të Ukrainës, pasi një helikopter u rrëzua pranë një kopshti fëmijësh në një periferi lindore të kryeqytetit Kiev.
Dy fëmijë ishin mes të vdekurve dhe 10 të tjerë po trajtohen në spital.
Ministri, Denys Monastyrsky, ishte me tetë të tjerë në helikopter.
Zëvendësministri i tij i parë dhe sekretari i shtetit gjithashtu vdiqën, thanë zyrtarët, kur helikopteri u rrëzua në periferi të Brovary.
Shefi i policisë kombëtare Ihor Klymenko shkroi në Facebook se helikopteri i përkiste shërbimit të emergjencës shtetërore të Ukrainës.
Pas përplasjes një zjarr shpërtheu pranë kopshtit dhe fëmijët dhe stafi u zhvendosën nga ndërtesa. Mbetjet nga helikopteri ishin të dukshme jashtë një ndërtese të djegur.
Ishte errësirë dhe mjegull në momentin e rrëzimit dhe raportet fillestare sugjerojnë se helikopteri goditi kopshtin përpara se të rrëzohej pranë një ndërtese banimi.
Njëzet e dy persona janë dërguar në spital, duke përfshirë 10 fëmijë, tha Klymenko./21Media