Ndërroi jetë Shqipe Bajçinca-Brestovci, personaliteti i rëndësishëm i hendbollit kosovar 

Ka ndërruar jetë Shqipe Bajçinca – Brestovci, personaliteti shumë i rëndësishëm i hendbollit kosovar dhe sportit kosovar në përgjithësi.

Profesoresha Bajçinca – Brestovci deri në frymën e fundit ishte kryetare e Shoqatës së Gjyqtarëve të Hendbollit të Kosovës.

Ajo ishte edhe anëtare e Bordit të FHK-së e po ashtu delegate e Federatës Evropiane të Hendbollit.

‘Është shquar me përkushtimin dhe seriozitetin në të gjitha pozitat që ka mbajtur. Profesoresha Bajçinca – Brestovci ishte edhe hendbolliste e suksesshme më pas edhe komesare e garave në Federatën e Hendbollit të Kosovës. Aktivitetet në hendboll nuk i ka ndalur, ndonëse për shumë vjet është sfiduar nga një sëmundje e rëndë. Është parë si shembull për energjinë e jashtëzakonshme që kishte.

Për shumë vjet Shqipe Bajçinca-Brestovci ishte profesoreshë në Fakultetin e Edukimit Fizik në Universitetin e Prishtinës. Ka ligjëruar lëndë të shumta, ndërsa ishte shumë e afër me studentët.

“Lajmi për vdekjen e profesoreshës Shqipe Bajçinca – Brestovci na ka tronditur. FHK-ja dhe familja kosovare e hendbollit kanë mbetur pa një personalitet shembull që me energjinë dhe përkushtimin e saj i ka bërë të gjithë për vete”, shkruan presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini në telegramin e ngushëllimit për familjen e të ndjerës.

Shqipe Bajçinca – Brestovci ishte edhe anëtare e Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Back to top button