Ndeshja e Zvicrës kundër Serbisë në Botëror, Kurti falënderon Xhakën dhe Shaqirin
Para takimit me kryeministren e Finlandës, Sanna Marin, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri një intervistë me mediumin zviceran, “Blick”.
Përveç pyetjeve rreth situatës aktuale me Serbinë, Kurti u pyet edhe për futbollistët kosovarë që janë pjesë e Kombëtares së Zvicrës.
“Helvetikët” dihet se janë shtëpia e disa prej futbollistëve që kanë rrënjë kosovare, dhe Kurti u pyet rreth rastit të fundit në ndeshjen mes Zvicrës dhe Serbisë në Kupën e Botës “Katar 2022”.
Pas ndeshjes, Granit Xhaka u pa duke festuar me një fanellë me mbishkrimin Jashari, mbiemri i komandantit të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Kurti u pyet nëse përfshirja e politikës në fushën e futbollit është gjë normale për të, ndërsa përgjigja e tij ishte kjo: “Varet. Mendoj që deklaratat kundër racizmit janë të drejta dhe të rëndësishme. Dhe nëse dikush nderon identitetin e tyre, atëherë është normale për mua”.
Po ashtu, Kurti kishte edhe një mesazh për Xhakën, Shaqirin dhe futbollistët e tjerë kosovarë që janë pjesë e Zvicrës.
“I falënderoj ata që frymëzuan kaq shumë talent të rinj për të luajtur futboll. Edhe në Kosovë”, tha Kurti.