Në 10 ditëshin e parë të vitit, 12 infermierë u larguan nga Kosova

12 infermierë u larguan në 10 ditëshin e parë të këtij viti, bëri të ditur Oda e Infermierëve të Kosovës. Ndërkaq, brenda këtyre ditëve 4 mjek kërkuan dokumentin e pastërtisë etiko-profesionale, dokument i cili u duhet për tu punësuar në shtetet perëndimore. Sipas Odës së Mjekëve të Kosovës, çdo vit rreth 170 mjek largohen nga vendi.

Me entuziazmin më të madh kishte përfunduar studimet për infermieri në Kosovë, por, shumë shpejt u zhgënjye me mënyrën se si funksionojnë gjërat këtu. Gani Hoxha, 24 vjeçar nga Podujeva, tash e 8 muaj u detyrua ta lë në gjysmë ëndrrën për të veshur mantilin e bardhë në shërbim të qytetarëve të vendit.

Ditën kur mori rrugën për në Gjermani, Ganiu, la një bagazh të gjatë aftësimi në infermieri, por, atje gjeti vendin e punës, të cilin nuk e gjeti asnjëherë në Kosovë.

“Ka qe 8 muaj që jam larguar nga Kosova, në Kosovë kam përfunduar studimet si infermier, pastaj pamundësia për t’u punësuar në institucionet shëndetësore në Kosovë, ka qenë arsyeja kryesore që jam larguar nga vendi ynë. Duke pa që në Kosovë ka shumë nepotizëm dhe korrupsion në institucionet shëndetësore atëherë më është dashur jo vetëm mua por edhe shumë kolegëve të tjerë që të largohemi nga Kosova dhe të vazhdojmë në vendet e BE-së e më së shumti në Gjermani”, tha ai për RTV21.

Për shkak të pakënaqësisë së ngjashme, në 10 ditëshin e parë të këtij viti, 12 infermierë shkuan për të punuar në këtë profesion në Gjermani.

Në vitin 2018 vetëm paga ka qenë arsye e ikjes, thotë Enlirat Duraku, nga Oda e Infermierëve të Kosovës, por, tani arsye janë edhe kushtet e punës.

“Janë 713 infermier, mami dhe profesionist të tjerë shëndetësor të cilët kanë kërku dokumentacionin sic është licenca e punës e deplasifikume që është kriter për më i dërgu në ambasadë për noterizim apo validim të tyre për më tutje. Ndërsa sa i përket se sa kanë shku prej Kosovës tash gjatë janarit, ne dje vetëm e morëm informacionin që 12 infermier vetëm se kanë arritë atje”, tha Duraku për RTV21.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu tha se në Kosovë çdo vit largohen rreth 170 mjekë nga vendi në faza të ndryshme.

“Gjatë vitit 2023 janë 176 kolegë të cilët kanë marrë dokumentin e pastërtisë etiko-profesionale, se sa prej tyne kanë shku e sa janë në fazen finale atë nuk e dijmë sepse nuk kemi një raportim kthyes se a jane larguar. Përafërsisht është i njejti numër në tri vjetet e fundit aty rreth 170-180. 4 gjatë këto 10 ditëve të vitit edhe pse në të vërtetë kanë qenë vetëm 5 ditë pune dhe presim një fluks të njejtë nëse jo të rritur”, u shpreh Sejdiu.

Gjendja aktuale, zanafillën e ka nga paslufta për shkak të neglizhencës së institucioneve për ta rregulluar sistemin shëndetësor, thotë njohësi i shëndetësisë, Fitim Havolli. Sipas tij, kjo situatë vështirë të parandalohet.

“Parandalimi është shumë i vonshëm mirëpo mund të fillojmë edhe sa kom informata dhe sa po shoh ka përpjekje të kësaj qeverie për të bërë një strategji por qysh me mujtë me e ndalu duke i stimuluar punëtorët, mirëpo, mendoj që janë hala ende larg dhe koha e ikjes është shumë afër sepse aspekti logjistik është edhe njëherë shumë më i lehtë sipas atyre që i kemi parë që shtetet e BE-së kanë bërë për shtetet e ballkanit perëndimor”, tha ai.

Sipas të dhënave nga Oda e Mjekëve të Kosovës, në vend janë mbi 500 mjekë të papunë./21Media

Back to top button